Escobar: Kurti premtoi shqyrtimin e propozimeve për dinarin

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimeve të shumta që pati në Prishtinë gjatë dy ditëve të qëndrimit u shpreh i bindur se qeveria e Kosovës do të gjejë një zgjidhje të shpejtë lidhur me përdorimin e dinarit serb. Escobar pos takimeve që pati me udhëheqësit e institucioneve dhe partitë opozitare, vizitoi edhe disa lokalitete të banuara me serbë duke theksuar qartë se “sfidat në marrëdhëniet ndërmjetdy vendeve po sfidohen nga trajtimi i pakicës serbe në Kosovë”, raporton DW.

“Të jem i sinqert, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situatë. Por rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve e këtij shteti dhe jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë”, tha Escobar.

SHBA kërkon shtyrje

Shtetet e Bashkuara të Amerikës këmbëngulin që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit për dinarin, dhe hapur shprehin kritika për qeverinë Kurti për mungesë koordinimi që ka çuar në lëkundje të partneritetit. Gabriel Escobar, u pyet nga gazetarët nëse SHBA-ja tash ka një qasje të pabalancuar ndaj Kosovës në raport me Serbinë? Escobar u prëgjigj se çdo gjë që ka bërë SHBA-ja është në favor të Kosovës.

“Uashingtoni ka mbështetur aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka mbështetur proceset demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri të Kosovës, e ka mbështetur Prishtinën pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe ka mbështetur vendimin për shitjen e sistemeve kundërtanke Javelin. Si mund të jemi të pabalancuar? Nuk jemi. Gjithçka që kemi bërë ka qenë për Kosovën dhe do të vazhdojmë të veprojmë kështu. Ndërkohë, ne shpresojmë që Kosova të mund të dëgjojë shqetësimet tona dhe kjo nuk besoj që duhet të jetë shumë e vështirë”, tha Escobar.

Kurti nuk foli për takimin

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk foli për medie pas takimin disa orësh me emisarin amerikan. Por shkroi në rrjetet sociale  se “e informova atë [Escobar] për hapat që ka ndërmarrë qeveria jonë për të mbështetur tranzicionin e Bankës Qendrore dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në vazhdim”.

I dërguari amerikan gjatë qëndrimit në Kosovë vizitoi edhe Manastirin e Deçanit, vetëm një ditë pasi që qeveria e Kosovës urdhëroi Agjencinë Kadastrale që t’ia bartë 24 hektar tokë këtij Manastiri, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që deri tash refuzohej të zbatohej nga qeveria dhe autoritetet lokale të Deçanit.

Mirëpritet vendimi për Manastirin e Deçanit

Shtetet e QUINT-it e mirëpritën vendimin e Qeverisë së Kosovës për Manastirin që e cilësuan “një hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve kosovare në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike”.

“Siç kemi deklaruar në maj të vitit të kaluar në përvjetorin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, u tha në deklaratën e QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.

Sidoqoftë, pas një ngërçi disa javësh dhe me shtytjen e komunitetit ndërkombëtar, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen të marten e javës së ardhshme në Bruksel. Në këtë takim thuhet se do të diskutohet për planin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.