Escobar: Kurti është partner i yni, ndonëse nganjëherë është partner i vështirë
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, ka folur për raportet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shkruan Koha.net.
Escobar ka thënë se Kurti është “partner i SHBA-së, ndonëse nganjëherë është partner i vështirë”.
“Zoti Kurti është partner i yni. Nganjëherë është një partner i vështirë, por është partner. Kosova është partnere jona. Serbia është partnere jona. Pra, në të ardhmen dëshirojmë të përfitojmë nga marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe nga përmirësimi i marrëdhënieve që kemi me Serbinë”, ka thënë Escobar.
SHBA-ja e ka fajësuar Kurtin për tensionet e fundit në veri, ndërsa kanë kërkuar që kryetarët shqiptarë të mos futeshin në objektet komunale të komunave veriore. Pas kësaj, ndërkombëtarët kërkuan zgjedhje të reja në veri, duke garantuar pjesëmarrjen e serbëve. Por deri tash s’ka marrëveshje.
Escobar ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë të qëndrojë e angazhuar në Ballkanin Perëndimor.
“Për Qeverinë e SHBA-së, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme. Rajoni ka potencial për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë, transport dhe madje edhe turizëm. Rajoni ka universitete të shkëlqyera, një fuqi punëtore të talentuar dhe një fuqi punëtore relativisht të re”, ka thënë Escobar.
Escobar ka folur edhe për marrëveshjen e arritur në Ohër.
“Ne në Ohër arritëm një marrëveshje. Një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që hapi derën për një marrëdhënie paqësore, konstruktive dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës., sipas rregullave evropiane. Kur u larguam nga Ohri, u larguam me optimizëm. Në dy muajt që kur arritëm atë marrëveshje, kemi pasur shumë kriza politike dhe do të thosha se të gjitha ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin. Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të shtensionuar menjëherë proceset, për të shtensionuar situatën dhe menjëherë të kthehemi me fokusin në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Për Serbinë kjo do të thotë t’i jap fund bllokimit të Kosovës drejt integrimit evropian dhe ndërkombëtar. Për Kosovën kjo nënkupton fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duhet të punojmë në të dy këto fusha”, ka thënë Escobar.
Escobar ka thënë se po të pyetej SHBA-ja gjithë Ballkani Perëndimor do të ishte në Bashkim Evropian deri në vitin 2030.
“Unë supozoj se deri në vitin 2030, të gjitha vendet e rajonit do të jenë në rrugën e tyre të mirë për të përmbushur kushtet për anëtarësim të plotë në Bashkim Evropian”, ka thënë Escobar.