Dita Ndërkombëtare e Rrëqebullit: Popullata e maces së madhe është stabile, por edhe më tej afër zhdukjes

Prerja e pyjeve për ndërtim të rrugëve ose objekteve të tjera i shkatërron dhe i copëton vendbanimet e rrëqebullit, e pamundëson të popullojë hapësira të reja dhe të komunikojë në mënyrë të pandërprerë me rrëqebuj të tjerë nga rajone më të largëta, shkruan Meta.mk.

Rrëqebulli ballkanik është një nga macet e mëdha më të rralla në planet, me popullatë prej më pak se 50 rrëqebuj të vetëm, prej të cilëve pjesa më e madhe, rreth 40 prej tyre jetojnë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa të tjerët mund të hasen në Shqipëri dhe Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës (IUCN), e rangon rrëqebullin ballkanik si në rrezik kritik, ndërsa pjesa më e madhe e rreziqeve për mbijetesën e tij janë vepër e njeriut.

Prerja e pyjeve për ndërtim të rrugëve, ose objekteve të tjera i shkatërron dhe i copëton vendbanimet e rrëqebullit, e pamundëson të popullojë hapësira të reja dhe të komunikojë me rrëqebuj të tjerë nga rajone më të largëta që në vitet e fundit rezultoi edhe me një rrezik tjetër, e ky është shumimi me lloj të përafërt ose inbriding. Numri i vogël i rrëqebujve të pjekur seksualisht, që jetojnë gjatë kohë në një territor të vogël, shkakton që rrëqebulli ballkanik të ketë fond të varfër gjenetik, gjendje që në afat të gjatë mund të jetë fatale për popullatën e përgjithshme të tij.

Shoqata ekologjike e Maqedonisë, me organizata partnere nga rajoni dhe Evropa tashmë 17 vite punon në Programin për rimëkëmbjen e rrëqebullit ballkanik, në kuadër të të cilit ndiqet lëvizja dhe gjendja e popullatës së maces së madhe. Prej atje theksojnë se edhe gjuetia e paligjshme është një nga kanosjet më të mëdha për rrëqebullin, në rastet kur bëhet fjalë për gjueti direkte apo edhe për gjueti të paligjshme të kaprojve dhe dhive të egra, që janë gjahu kryesor i rrëqebullit.

“Puna e vazhdueshme në teren në kuadër të Programit jep rezultate. Popullata është stabile, por duke i ditur të gjithë rreziqet na paraprin edhe shumë punë, sepse rrëqebulli ballkanik ende është afër zhdukjes dhe trajtohet si lloj i rrezikuar kritikisht”, thonë nga SHEM.

Nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor informojnë se, me mbështetje nga zyra Programore e UNEP-it në Vjenë, si dhe nga ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për mishngrënësit e mëdhenj, kanë përgatitur një draft-aplikim për përfshirjen te rrëqebulli euroaziatik të rrëqebullit ballkanik si nënlloj të rrëqebullit euroaziatik, në Shtojcën II dhe Shtojcën I të Konventës për mbrojtjen e kafshëve të egra migruese (CMS). Aplikimi është dorëzuar deri të Sekretariati i Konventës për revidim dhe pritet miratim i të njëjtit.

“Nëse pranohet propozimi nga ana e Konventës pritet ruajtje më e madhe e këtij lloji të rrezikuar kritikisht, mbështetje më e madhe politike dhe përmirësim i bashkëpunimit tejkufitar për mbrojtjen e popullatave të këtij lloji midis vendeve fqinje dhe zbatim më i gjerë i masave të mëtutjeshme për ruajtje dhe monitorim. Me këtë shteti ynë jep një kontribut të madh drejt implementimit të rekomandimeve të rastit të hapur në Konventën e Bernit mbi PK Mavrovë”, thonë nga Ministria.

Dita ndërkombëtare e rrëqebullit shënohet çdo vit më 11 Qershor. Kjo është macja më e madhe e egër në Evropë, predatori i tretë për nga madhësia, pas arushës kafe dhe ujkut. Vlerësohet se kanë mbetur edhe rreth 9.000 ekzemplarë. Numri më i madh i tyre jetojnë nëpër pyjet e Evropës qendrore dhe veriore, edhe atë në: Finlandë, Norvegji, Suedi, Sllovaki, Poloni, Rumani, Çeki dhe vende të tjera. Popullata më të vogla prej qindra rrëqebujsh ka në Francë, Gjermani, si dhe në Ballkan, në Kroaci, Bosnje dhe Slloveni.