Ende del tym nga deponia Drislla, përqendrime të larta të grimcave të dëmshme në ajër në disa pjesë të Shkupit

Tymi nga deponia e Drisllës është ende i pranishëm, por në një masë shumë më të vogël se më parë, informoi këtë mëngjes drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov, në raportin e tij të mëngjesit për situatën me zjarrin në deponinë e Shkupit që shpërtheu disa ditë më parë, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë ditës së djeshme, një pjesë e zonës së deponisë së Drisllës nga e cila kishte tym u mbulua. Sot, mbulimi me dhe vazhdon me një ritëm të përshpejtuar sepse dje u kryen disa operacione logjistike që lejojnë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në pikën kritike”, tha Angellov.

Ai shtoi se zjarri në deponinë ilegale Vardarishte është shuar plotësisht dhe nuk ka tym prej saj.

Lidhur me ndotjen e ajrit, drejtori i DMSH-së dha udhëzime që të inspektohen stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kështu, stacioni matës në Lisiçe tregon se sipas matjes në orën 7 të mëngjesit të sotëm, janë regjistruar 39.3 mikrogramë për metër kub grimca PM 2.5.

Ky përqendrim i grimcave PM 2.5 në Lisiçe është 7.9 herë më i lartë se vlera vjetore e rekomanduar e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkruan platforma e matjes së cilësisë së ajrit “I-Q Air”.

Ajri i ndotur në Shkup, foto nga Portalb.mk
Ajri i ndotur në Shkup, foto nga Portalb.mk

Prania e grimcave PM 10 është gjithashtu e lartë. Sipas matjeve në stacionin në Lisiçe në orën 7 të mëngjesit të sotëm, prania e tyre në ajër është 82.5 mikrogramë për metër kub.

Në pjesë të tjera të Shkupit, ndotja e ajrit është më e ulët. Pavarësisht kësaj, platforma “I-Q Air” tregon se në nivel të Shkupit, prania e grimcave PM 2.5 është 3.5 herë më e lartë se vlera e rekomanduar e OBSH-së.

Ajri i ndotur në Shkup, foto nga Portalb.mk
Ajri i ndotur në Shkup, foto nga Portalb.mk

Kujtojmë se kohëve të fundit, QMK ka raportuar disa zjarre në disa deponi, si kjo në Drislla, ajo pranë fshatit Kuklish në komunën e Strumicës, deponia Dellçevë, deponia e qytetit në Komunën e Krushevës, si dhe deponia Vardarishtë në Komunën Gazi Babë.

Mjekët në vend paralajmërojnë se pasojat në shëndetin e njeriut nga toksinat që shkaktohen nga djegia ose tymi i deponive janë të mëdha. Kjo situatë mund të shkaktojë sëmundje të mushkërive dhe zemrës, si dhe anemi.