Ende asgjë nga marrëveshja e paralajmëruar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për rrugën Tetovë-Prizren

Autoritetet  e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës nuk japin informata se kur do të nënshkruhet marrëveshja për bashkëfinancim për hartimin e projektit edhe pse paraprakisht kanë paralajmëruar që marrëveshja pritet të nënshkruhet në fund të shtatorit, njofton Portalb.mk.

Nga Ndërmarrja Publike për Rrugën Shtetërore të Maqedonisë (NPRSH), thonë se marrëveshja është konstatuar, por për atë se kur duhet të nënshkruhet duhet të japin informata nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

“Në lidhje me pyetjet tuaja ju informojmë se Marrëveshja për bashkëfinancim për projektim mes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Republikës së Maqedonisë së veriut dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për hartimin e projektit, është konstatuar, por deri kur është procedura për nënshkrimin e Marrëveshjes, ju drejtojmë që të kërkoni përgjigje nga ministria kompetente”, thonë për Portalb.mk nga NPRSH.

Megjithatë, nga Ministria, nuk përgjigjen ndaj pyetjeve të dërguara nga Portalb.mk.

Përgjigje nuk japin as nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës.

6 shtator të këtij viti, drejtori i NPRSH-së, Ejup Rustemi deklaroi se ministritë e të dyja vendeve janë në kontakt të vazhdueshëm, ndërkaq Ministria e RMV-së, e ka dërguar në Kosovë versionin e parë për marrëveshje, për çka do të duhet të kthejnë vërejtje dhe më pas autoritetet e RMV-së t’i shqyrtojnë dhe nga fundi i shtatorit të ketë marrëveshje, e cila planifikon projektimin e tunelit të përbashkët prej 6,4 kilometra.

Pas asaj, siç tha Rustemi, do të vazhdohet me projektimin e rrugës (në RMV) që çon deri në hyrje të tunelit. “Së pari, kemi projektin, kemi revidimin e projektit dhe mbas asaj realizimin e punimeve”, tha Rustemi.

Rruga në fjalë do të duhej të fillonte në vitin 2014-të dhe të mbaronte në vitin 2018-të, por partia shqiptare në pushtet, BDI nuk ka arritur që ta jetësojë këtë projekt me rëndësi të madhe për Kosovën dhe RMV-në.

Portalb.mk, në shkrimet e mëparshme ka bërë përmbledhje të premtimeve, ndër vite edhe pse kjo parti i ka fshirë programet me premtime parazgjedhore nga ueb-faqet:

  • 2011

Programi “Bashkë drejt qëllimit”, 2011

“Rruga Tetovë-Prizren. Studim fizibilitet për të analizuar mundësinë e një rruge të re që mund të lidhë këto dy vendbanime dhe arsyeshmërinë ekonomike”.

  • 2014

Programi zgjedhor 2014

Rruga Tetovë-Prizren. Studimi i parë i fizibilietit për këtë rrugë ka përfunduar. Bazuar në rezultatet e studimit do të shqyrtohen alternativat më të arsyeshme ekonomike, në bashkëpunim me Kosovën

  • 2016

Zgjedhje 2016 – Në programin parazgjedhor të BDI-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, në pjesën “Transport” (faqe 3), është premtim i dhënë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

  • 2020

Programi i BDI-se zgjedhje parlamentare 2020:

Rruga Tetovë – Prizren. Ky projekt do të jetë në vlerë prej 40 milion-60 milion euro, mjete që do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe Banka Botërore. Realizimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të zonës, shkëmbimin tregtar në mes dy vendeve, qasjen më të shpejtë për dalje në det (porti i Lezhës dhe i Durrësit), zhvillimi i turizmit në Kodrën e Diellit, etj.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Më 16 gusht, ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Alium, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, e ka vizituar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin, mes tjerash ka folur edhe për rrugën Tetovë-Prizren.

Vizita e ministrit Aliu erdhi vetëm disa ditë pas vizitës së kryeministrit Albin Kurtit në Shkup dhe Tetovë, ku ai u takua vetëm me përfaqësuesit e opozitës shqiptare.

Gjatë vizitës në Tetovë, Kurti vizitoi fshatin Vicë ku foli për rrugën që duhet të çojë për në Prizren, por nëpërmjet këtij fshati nuk do të shtrihet traseja e zgjedhur nga Qeveria, pasi që rruga parashikon të nis nga Tetova, nëpërmjet Kodrës së Diellit, Shipkovicës dhe mbaron në Brodec.