EMV do të apelojë vendimin e Prokurorisë për skandalin e funizimit me mazut, Mickoski: U shokova nga lajmi
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se dje e priti me shok dhe mosbesim lajmin për vendimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) për të ndaluar procedurën në rastin në lidhje me furnizimin e mazutit për TC Negotinë, ku, ndër të tjera, ishte i përfshirë edhe ish-drejtori i SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut, Vasko Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.
“E dëgjova këtë lajm dje me mosbesim dhe u shokova nga ajo që dëgjova”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pas një vizite në spitalin “8 Shtatori”.
Një gjë pozitive në këtë situatë, sipas kryeministrit, është se ASHA EMV do të paraqesë ankesë kundër vendimit të Prokurorisë, pas së cilës, sipas tij, çështja do të kthehet për rishqyrtim dhe rianalizë sepse nëse kjo nuk ndodh, siç tha ai, Prokuroria padyshim do të humbasë besueshmërinë e saj.
Lidhur me vendimin e Prokurorisë Publike (PNKOK), kryeministri bisedoi dje me Prokurorin Publik Shtetëror Nenad Saveski.
“Ai më informoi se nuk ishte i informuar për këtë vendim të Prokurorisë Publike (PNKOK) të kryesuar nga Islam Abazi dhe supozoj se pas ankesës së paraqitur nga EMV, çështja do të rishikohet dhe do të kthehet për rianalizë. Ne kemi komentuar për Prokurorinë Publike (PNKOK) të kryesuar nga Islam Abazi dhe nuk kam asgjë më shumë për të thënë, publiku e di se çfarë lloj prokurori është ky”, tha Mickoski.
SHA EMV ende nuk e ka marrë vendimin nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) në lidhje me të dyshuarit për veprën e rëndë penale – furnizimin me mazut për Termocentralin e Negotinës. Megjithatë, pas informacionit të publikuar në media, ekipi ligjor i EMV tashmë po ndërmerr të gjitha aktivitetet përgatitore për të paraqitur një ankesë të përshtatshme, menjëherë pas marrjes zyrtare të vendimit, thotë kompania
“Ne do të përdorim të gjitha mekanizmat ligjorë në dispozicion për të mbrojtur interesat e kompanisë”, njoftuan nga EMV.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ndërprerë procedurën në rastin në lidhje me furnizimin me mazut për TC Negotinë, sepse hetimi, i cili zgjati një vit, nuk vërtetoi se të dyshuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë ndjekur penalisht.
Për rastin në fjalë, listën e dyshuarve e përbënin gjithsej 13 persona. Drejtori i RKM Ratko Kapushevski, i cili njihet në opinion si person i afërt i Nikolla Gruevskit ishte në ndër emrat më të njohur, ndërkaq bashkë me të ishte i përfshirë edhe djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski apo pronari i Pucko Petroll, Asmir Jahoski. Në listën e të dyshuarve ndodhej edhe emri i ish drejtori të EMV-së, Vasko Kovaçevski i cili prej kohësh ndodhet në arrati për shkak të rastit tjetër ku ndiqet penalisht, të njohur si “Aditivët”. Më tej, padi penale ishte dorëzuar edhe kundër ish drejtorit të EMV-së apo funksionarit të BDI-së Ardijan Muça, por edhe kundër Erxhan Sullkoskit, biznesmeni të njohur në opinion si partner biznesi i dhëndrit të kreut të BDI-së Ali Ahmetit, Kushtrim Smajlaj. Krahas tyre, përmendeshin edhe persona të tjerë si Ruzhdi Ramadani, Nikolla Stojanovski, Danço Stojanovski, Emil Pecakov, Marija Neshkovska, Bllagica Markoviq, Dushica Seizovska Jovanoviq dhe Dobrilla Stefanovska.