Emrat e rinj të rrugëve në shtator për miratim në Qeveri, BDI akuzoi komisionin për anashkalim të propozimeve
Java që vjen pritet të sjellë mbledhjen e radhës të Komisionit për Emërimin e Rrugëve në Tetovë, ndërsa deri në shtator lista e propozimeve të përgatitura nga ky trup pritet t’i dorëzohet Qeverisë, transmeton TV 21.
Kryetari i komisionit, njëherësh edhe zëvendëskryetar i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, sqaron se në mbledhjen e radhës të komisionit do ta kalohen edhe emra të tjerë që të njëjtit, deri në shtator, të kalojnë në Këshill dhe të dorëzohen në Qeveri.
“Besojmë që brenda shtatorit, gjegjësisht në seancën e shtatorit të Këshillit Komunal ta kemi listën përfundimtare të emrave që ta vërtetojmë së pari me votim në Këshill dhe pastaj ta nisim në Qeveri për miratim të dytë”, tha Qamili.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh pakënaqësi me procesin. Nënkryetari i degës së BDI-së në Tetovë, Amet Qazimi theksoi se nga 74 emrat e propozuar deri më tani, vetëm një pjesë janë shqiptarë, gjë që sipas tyre nuk pasqyron realitetin etnik të qytetit. Qazimi shton se në këtë listë nuk janë përfshirë as emrat e shfuqizuar më parë nga Gjykata Kushtetuese, me arsyetimin se Gjykata ka kontestuar procedurën e miratimit dhe jo vetë emrat.
“47% prej tyre janë emra shqiptarë, 24% janë emra maqedonas dhe 29% janë emra ndërkombëtarë apo universalë. Po ashtu, vlen të theksohet nga mbledhja e parë e komisionit, propozimet të cilat u dhanë nga ana e anëtarit tonë të komisionit nuk u pranuan; propozime të cilat i ngërthenin në vete edhe emrat e abroguar nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, nuk u pranuan edhe propozimet e tjera të cilat u dhanë edhe nga përfaqësuesit e tjerë të partive të tjera opozitare”, u shpreh Qazimi.
Kujtojmë se 14 emra rrugësh në Tetovë u abroguan nga Gjykata Kushtetuese për shkak të mosrespektimit të procedurave ligjore. Prej tre vitesh, Komuna e Tetovës ka ngritur komisionin për riemërtimin e rrugëve, i cili në përbërjen e re të Këshillit Komunal deri më tani ka zhvilluar dy mbledhje.
Pse u shfuqizuan emrat e rrugëve nga Gjykata Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese më 17 qershor 2026 e shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007 me të cilin sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht.
Gjykata vendimin e solli pasi ka konstatuar se nuk ka dëshmi se komuna ka dorëzuar kërkesë te Qeveria për dhënien e pëlqimit të nevojshëm, as akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për shkak të së cilës Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk është përmbushur.
Opozita vazhdimisht ka insistuar se në kohën kur është sjellë ky vendim, është kërkuar pëlqim nga niveli qendror, por nuk është marrë përgjigje, dhe në përputhje me nenin 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili përcakton se nëse gjatë miratimit të një akti komunal kërkohet pëlqim paraprak nga një organ tjetër, ai organ duhet ta japë atë më së voni brenda 60 ditëve nga dita e dorëzimit të propozimit të aktit, ndërsa nëse organi nuk e jep pëlqimin e kërkuar, akti konsiderohet i pranuar ashtu siç është propozuar nga komuna.
Këtij neni i referohet edhe Gjykata Kushtetuese, por në mungesë të dokumentit ku kërkohet pëlqimi, gjykata e shfuqizoi vendimin
Nga Komuna e Tetovës kanë thënë se nuk kanë pasur përgjigje nga Arkivi Shtetëror se ekziston kërkesë për pëlqim për ndryshimin e emrave e dorëzuar në Qeveri, ashtu siç e parasheh Ligji për përcaktimin e emrave të rrugëve.
As Qeveria nuk gjeti dëshmi. Portalb.mk kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes ligjit për qasje të lirë në informatat e karakterit publik të gjitha kërkesat e pranuara nga Komuna e Tetovës në arkivin e Qeverisë në periudhën nga 01.10.2006 deri më 01.05.2007.
Nga Qeveria na njoftuan se pas kontrollit të detajuar të dokumentacionit që ruhet në depon e Qeverisë, arriti ta gjejë vetëm një kërkesë e cila nuk ka të bëjë me çështjen e emrave të rrugëve, por për dëme të shkaktuara nga reshjet në disa fshatra.
Portalb.mk tani e disa ditë ka kërkuar sqarime shtesë edhe nga Ministria e Transportit, nëse kanë pranuar kërkesë për pëlqim të ndryshimit të emrave në vitin 2006/2007, por nga aty nuk u përgjigjën.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve.
Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog
Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.
Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti. Sipas komunës, brenda këtyre dy muajve pritet të ketë diçka më konkrete. Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.