Elmir Sejfullau, Visar Vishka dhe Dukagjin Podrimaj pjesë e serialit të ri të RTL në Kroaci

Aktorët Elmir Sejfullau, Visar Vishka dhe Dukagjin Podrimaj marrin pjesë në serialin e ri kriminalistik “Specijalisti Zagreb”, produksion i RTL Hrvatska, duke u bërë pjesë e një prej projekteve të reja televizive që pritet të tërheqë vëmendjen e publikut në rajon, shkruan Portalb.mk.  

Aktori nga Tetova, Elmir Sejfullau, do të paraqitet në serial në rolin e një pronari restoranti, i cili pa dëshirën e tij bashkëpunon me mafian. Ai për Portalb.mk ka treguar se angazhimi në këtë produksion erdhi në mënyrë të papritur, pasi fillimisht ishte kontaktuar për një personazh tjetër.

“Specijalisti Zagreb” është seriali i parë kriminalistik i prodhuar nga RTL Hrvatska, në bashkëprodhim me Gal Medija. Ngjarja zhvillohet në Zagrebin bashkëkohor dhe ndjek një ekip inspektorësh policorë, ndërsa ndërthur hetimet kriminalistike, aksionin, humorin dhe historitë personale të personazheve.

Seriali do të nisë transmetimin më 7 shtator 2026, çdo të hënë në orarin kryesor në RTL, ndërsa do të jetë i disponueshëm edhe në platformën Voyo.

Duke folur për mënyrën se si erdhi deri te roli, Sejfullau tha se edhe vetë ishte befasuar kur ishte kontaktuar nga produksioni.

“T’ju them të drejtën edhe unë u befasova kur më kontaktuan nga produksioni për të filluar procesin e kastingut për këtë serial. Një herë dërgova self-tape për një personazh tjetër, por pastaj fitova rolin i cili në serial ka dy skena të rëndësishme për zhvillimin e ngjarjes. Unë luaj rolin e një pronari restorani, i cili pa dëshirë bashkëpunon me mafian. Në serial marrin pjesë edhe kolegët e mi Visar Vishka dhe Dukagjin Podrimaj. Më shumë nuk mund t’ju rrëfej, për shkak të kontratës me produksionin. Si çdo personazh që më duhet ta realizoj edhe te ky serial kam punuar me përkushtim dhe profesionalizëm. Edhe pse në karrierën time tanimë të gjatë teatrale ndoshta edhe kam realizuar role të ngjashme, sërish para kamerës duhet tjetër qasje dhe interpretim. Normalisht që çdo angazhim është pozitiv në ngritjen e një aktori në karrierën e tij dhe shpresoj që personazhi im t’i pëlqejë publikut, por edhe profesionistëve që merren me kinematografi për të qenë edhe më i angazhuar në të ardhmen”, tha Sejfullau.

Sipas aktorit tetovar, seriali është ndërtuar mbi episode tematike, ku katër personazhet kryesore, inspektorë policorë, përballen me raste të ndryshme kriminalistike.

“Siç munda ta kuptoj nga skenari i episodit ku marr pjesë, mendoj se seriali përbëhet nga episode tematike. Pra, çdo episod ka temën e vet, ku 4 personazhet kryesore që janë policë inspektorë zgjidhin raste me të cilat ballafaqohen gjatë punës së tyre. Mesazhi është se çdokush që është nga ana tjetër e ligjit, kurdo qoftë, do të përballet me atë që meriton”, tha Sejfullau.

Për të, pjesëmarrja në një produksion jashtë vendit është një mundësi e rëndësishme për përvoja dhe kontakte të reja, por edhe për hapjen e mundshme të dyerve drejt projekteve të tjera në rajon.

“Normalisht që çdo mundësi që ofrohet për të luajtur në produksione jashtë vendit është e mirëseardhur, edhe për shkak të njohjeve të reja, por edhe për shkak të përvojave të reja. Mund të them se produksioni ishte shumë profesional dhe çdo herë mëson nga bashkëpunimet e tilla, nuk e di se sa ky angazhim do t’i hapë dyert e projekteve të ardhshme që punohen në rajon, por shpresoj në këtë. Unë vazhdimisht konkurroj në kastingje të ndryshme të projekteve që realizohen në vend dhe rajon, por është një treg i madh i aktorëve dhe nuk është e lehtë të vish deri te angazhimi. Në rastin e këtij seriali kasting drejtori më tha se e kishte parë në rrjetet sociale profilin tim dhe rrjedhimisht nga kjo më kishte angazhuar, që do të thotë se ndonjëherë edhe pa konkurruar mund të vijë rasti për angazhim”, tha Sejfullau.

Pjesëmarrja e Elmir Sejfullaut, Visar Vishkës dhe Dukagjin Podrimajt në “Specijalisti Zagreb” sjell prezencë të dukshme të aktorëve shqiptarë në një produksion të RTL Hrvatska dhe një mundësi të re për promovimin e tyre para publikut rajonal.