Ekspozita “Rrugëtimi im në art” do të shpalosë 35 vite krijimtari të piktorit Reshat Ameti
Të martën (11 mars) në Qendrën Kulturore Rinore në Shkup, me fillim nga ora 20:00 do të hapet ekspozita personale “Rrugëtimi im në art” e Reshat Ameti, transmeton Portalb.mk.
Rrugëtimi nëpër shtigjet e artit është një aventurë dhe një pasion të cilit artisti i dorëzohet plotësisht, në këtë rrugë ka stacione në të cilat duhet të ndalet, të shikojë mbrapa shtegun e përshkuar, por edhe të shikojë drejt së ardhmes për të përcaktuar se cilën rrugë duhet marrë.
Pikërisht këtë vit duke ecur përgjatë rrugës, artisti Reshat Ameti u gjet para pragut të një përvjetori të rëndësishëm – 35 vjet krijimtari.
Shënimin e jubileut e filloi më 30 dhjetor të vitit 2024 me një ekspozitë reprezentuese në Klubin Diplomatik të Ministrisë së Jashtme të RF të Gjermanisë në Berlin.
Më 27 shkurt Reshat Ameti hapi ekspozitën e tij të dytë në kuadër të këtij përvjetori në Galerinë Ursula Strauss në Graz të Austrisë.
Ekspozita në QKR është e treta me radhë në kuadër të jubileut, por në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar si më pak e rëndësishme, ajo synon të nxisë të rinjtë të eksplorojnë dhe të gjejnë stilin e tyre individual në art. Profesor Reshat Ameti do të mbajë një ligjëratë gjatë ekspozitës, me të cilën si pedagog do të thellojë dashurinë e tyre për artin.
“…Kur njihesh me pikturën e Reshat Ametit, gjëja e parë që të bën përshtypje është ndjesia e lirisë, liria e ngjyrave dhe e trajtave, gërshetimi i formave gjeometrike me një frymë veshtullore poetike. Toka dhe qielli, lënda dhe shpirti, e rrokshmja dhe e epërmja, nuk janë të ndara për artin. Statizimin e realitetit e pasurojnë spikamat e mjegullta, format e ëndrrës. Ata që e njohin disi dramën e Gadishullit Ballkanik, e kapin menjëherë se ky piktor ka qenë i etur për liri. Se ai ka dalë nga një ëndërr, nga një vokacion i lirisë. Shqetësimi, ankthi që ndihet në pëlhurat e tij, është pjesa e universit të tij. Ashtu siç janë ngjyrat e ndezura, të ngrohta, që shpërthejnë si nga një krater. Ashtu siç është një ndjesi mistike, e përzier, siç e ka vënë në dukje kritika, me një qetësi prej shenjti. Të gjitha këto vërtiten dhe funksionojnë rreth idesë fisnike të një bote më të mirë, më të çiltër, një botë pa urrejtje dhe pa shtrëngim. Kritikët kanë vërejtur në pikturën e Reshat Ametit ngjyrimet shqiptare, ilire dhe latine, pasaporta më e sigurt e këtij arti për t’u pranuar si art evropian. Reshat Ameti bën pjesë në radhët e artistëve që e përgatitin, qe e sjellin Evropën mu në mes të Ballkanit dhe që, me po atë siguri, me penelin e tyre, e çojnë Ballkanin mu në qendër të kontinentit. Është prapë historia e ëndrrës e gërshetuar me realitetin: më e bukura dhe më fisnikja aventurë e artit”, ka shkruar Ismail Kadare Paris, 2003.
Reshat Ameti është profesor ordinar në Universitetin e Tetovës, është artist me reputacion ndërkombëtar dhe për punën e tij pedagogjike, për prezantimin e artit tonë jashtë vendit dhe për pikturën e tij është fitues i çmimit më të lartë shtetëror “11 Tetori”.