Ansambli Muzikor i Tetovës e përmbylli me sukses koncertin kushtuar muzikës së popullarizuar

Institucioni Nacional, Ansambli Muzikor-Tetovë e përmbylli me sukses koncertin kushtuar muzikës së popullarizuar, një mbrëmje e mbushur me tingujt e jazz-it, blues-it, pop-it dhe rock-ut, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i Ansamblit Muzikor-Tetovë, Blerim Qamili, për Portalb.mk vlerësoi se koncerti ishte i veçantë, pasi solli në një skenë të vetme disa prej zhanreve më të dashura të muzikës së popullarizuar.

“Përmes këtij programi synojmë të përcjellim mesazhin se muzika është një gjuhë universale që bashkon njerëzit, frymëzon dialog kulturor dhe pasuron jetën artistike të komunitetit tonë. Ky koncert është gjithashtu dëshmi e përkushtimit të Institucionit Nacional Ansambli Muzikor-Tetovë për të ofruar programe artistike cilësore dhe të larmishme për publikun. Publiku pati mundësinë të dëgjojë vepra të njohura nga repertori jazz, blues, pop dhe rock, ndërsa solistët me talentin, profesionalizmin dhe identitetin e tyre interpretues i dhanë koncertit vlera të shtuara artistike”, deklaroi Qamili.

Foto nga koncerti i Ansamblit Muzikor i Tetovës
Foto nga koncerti i Ansamblit Muzikor i Tetovës

Koncerti u mbajt në Sallën e Pallatit të Kulturës në Tetovë, nën dirigjimin e Premtim Etemit, ndërsa para publikut u paraqitën artistët Elita Ziberi, Leotrim Zejnulla, Fjolla Jahiu, Arianit Ramadani, Mentor Berisha dhe Hajdar Hajdari.

Në program u interpretuan vepra të njohura nga repertori botëror, si “Spain” nga Chick Corea, “Sweet Home Chicago” nga Robert Johnson, “Simply the Best” nga Tina Turner, “Fly Me to the Moon”, e bërë e famshme nga Frank Sinatra, si dhe klasikja latine “Bésame Mucho” e Consuelo Velázquez.

Organizatorët shprehën mirënjohje për dirigjentin, solistët, bashkëpunëtorët dhe ekipin organizativ, ndërsa falënderimi më i madh iu drejtua publikut, i cili me praninë dhe duartrokitjet e tij krijoi një atmosferë të veçantë koncertale.

Ky aktivitet u vlerësua si pjesë e përkushtimit të Ansamblit Muzikor-Tetovë për të ofruar programe artistike cilësore dhe të larmishme, si dhe për ta forcuar rolin e Tetovës si qendër e rëndësishme kulturore në vend.

Foto nga koncerti i Ansamblit Muzikor i Tetovës
Foto nga koncerti i Ansamblit Muzikor i Tetovës