“Ejani oj gra se kjo po flet sikur na, shqip”: Etnologia e parë shqiptare, Drita Halimi Statovci rrëfen për përvojën e saj
Për gjithë lexuesit e Portalb.mk sot sjellim intervistën me Drita Halimi Statovci, etnologia e parë shqiptare. Halimi Statovci kontribuoi në krijimin e kuadrove të reja në fushën deficitare të etnologjisë, sidomos të vajzave, duke themeluar Departamentin e Etnologjisë në Universitetin e Prishtinës në Kosovën e pas luftës (2001). Kështu u krijuan parakushte për studimin, ruajtjen dhe prezantimin e vlerave etnologjike të Kosovës, të rajonit e më gjerë, si dhe për studimin dhe thellimin e njohurive nga fusha e antropologjisë kulturore.
Ajo iu përkushtua studimit të etnologjisë që nga viti 1975 dhe ishte e motivuar nga babai i saj, Kadri Halimi, etnologu i parë shqiptar i Kosovës. Punoi në Odën Ekonomike të Kosovës dhe në Këshillin Ekzekutiv Krahinor si bashkëpunëtore profesionale, në Institutin e Historisë dhe në Institutin Albanologjik-Dega Etnologji, si bashkëpunëtore, si udhëheqëse e Degës së Etnologjisë dhe si këshilltare shkencore.
Portalb.mk: Çfarë ju frymëzoi për të themeluar Departamentin e Etnologjisë në Universitetin e Prishtinës pas luftës dhe si ishin kushtet në atë kohë?
Drita Halimi Statovci: Më duhet të pranoj se frymëzimi i parë më ka ardhur nga familja. Në shumë raste aty ku lind e rritesh janë fati prej nga fillon baza e formimit jetësor. Unë pata fatin të rritesha e të formohem pranë babait tim-etnolog i parë shqiptar në Kosovë, Prof. Kadri Halimi. Natyrisht, kjo rrethanë jetësore ndikoi fuqishëm në formimin tim. Që në fëmijëri pata kujtime që s’harrohen e që të lënë mbresa të pashlyeshme. Në moshën 14-15 vjeçare babai më pat marrë në terren në fshatra të krahinës së bukur etnografike të Rugovës. Në shtëpi shikoja ndonjë mbështjellat, ndonjë brez ose çorapë të krahinave të ndryshme e të ngjashme. Si duket, këto kanë qenë me ndikim në filozofinë time të të menduarit, prandaj disi pahetueshëm më është shtresuar interesimi për shkencën e etnologjisë, për të cilën sot më tepër pëlqehet emërtimi antropologji e kulturës.
Ndjenja për etnologjinë-antropologjinë kulturore gjithnjë përforcohej, por në moshën pas kryerjes së shkollës së mesme-gjimnazit, ky interesim më vjen shumë i shprehur. Atë botë nuk kisha mundësi ta studioja këtë fushë, nuk kishte ndonjë katedër në Universitetin e Prishtinës, prandaj studioja gjeografinë si alternativë. Interesimin gjithnjë e kisha për etnologjinë. Pas diplomimit në Fakultetin filozofik, punova në Institutin e Historisë dhe në Institutin Albanologjik, në sektorët që ushtronin studime etnologjike dhe të historisë së kulturës. Falë përvojës së përfituar gjatë kohës, por edhe aktiviteteve shkencore që zhvilloheshin në këto institute, te unë gjithnjë forcohej ndjenja e angazhimin për t’u hapur drejtimi studimor etnologji-antropologji kulturore. Pas shumë përpjekjeve, më gëzon fakti se kjo u arrit në vitin akademik 2001/2002. Prej atëherë fillon punën Departamenti për Etnologji, që sot mban titullin Departamenti i Antropologjisë.
Portalb.mk: Në krahasim me atëherë, si janë kushtet sot dhe sa vlerësohet kjo degë?
Drita Halimi Statovci: Si përgjigje them kështu. Atë botë mezi dihej se çka është në të vërtetë Etnologjia, por interesimi për ta studiuar ishte mjaft i madh. Përkundër faktit se në fillim nuk kishim, fjala vjen mjaft fotoaparate e diktafona për punë hulumtuese në terren, nuk kishim ndonjë laborator në Fakultet e të ngjashme, gëzonim interesimin e madh për studime, sa që nuk mund t’i regjistronim të gjithë ata që konkurronin. Mund të thuhet sot kjo fushë studimore ka vlerësim të konsiderueshëm, kemi më shumë njohuri për Antropologji, kemi kushte pune më të mira brenda Departamentit, por disi interesimi është me hove, jo si një konstante. Ka rrethana që kanë ndikuar për këtë gjendje, por natyrisht se këto nuk do të diskutohen me këtë rast. Megjithatë dëshiroj të besoj se e ardhmja do të jetë më e mire.
Portalb.mk: Cilët janë disa nga përvojat tuaja më interesante ose sfiduese në kërkimet në terren dhe cilat tradita shqiptare ju kanë lënë më shumë mbresa?
Drita Halimi Statovci: Tradita-trashëgimia e jonë e gjerë kulturore ka domethënien dhe bukurinë e vetë. Ajo na jep identitet dhe na vendosë të barabartë me të tjerët ku do që të gjendemi jashtë hapësirës shqiptare. Në fillimet e punës sfidë ishin mungesa e mjeteve të nevojshme teknike, por më vonë ndryshon situate. Kujtimet nga terreni nuk harrohen. Për mua ishte krenari, gëzim e kënaqësi kur në ndonjë fshat më pritnin me fjalët: “mire se vjen bija e fisit”, ose “mire se vjen motra e jonë”, ose: “ejani oj gra se kjo po flet sikur na, shqip po flet”! Këto fjalë mikpritjeje e shprehjeje të realitetit tone, të shpërfaqjes së përshtatshmërisë së hulumtuesit për botën e tyre, për ata që ju shkojnë në shtëpi, kishin domethënien e veçantë dhe impononin studime të thella.
Cila traditë më ka lënë mbresa më pyetni? Ju them të gjithat, nuk mund t’i ndajë. Është interesante kur dëgjon betimin pasha këtë tokë, pasha këtë diell që rrezon, e takon ndonjë fëmijë me nuskë-amulet në flokë, në krahëror etj. Por ajo që shihet me sy të lirë, pa bërë pyetje është veshja. O sa shumë gëzohesha kur takoja ndonjë burrë ose grua me veshje popullore, por që e mbanin në përditshmëri, në jetë aktive. Sot është vështirë të takohet ndonjë pamje e këtillë.

Portalb.mk: A mendoni se të rinjtë sot janë të interesuar për kulturën dhe zakonet e të parëve, si mund të ruajmë ekuilibrin midis traditës dhe përshtatjes me kohën?
Drita Halimi Statovci: Është vështirë të konstatohet saktësisht. Por traditës sot sikur iu ka ndërruar funksioni. Te të vjetrit, por edhe te të rinjtë fare pak, për të mos thënë aspak, traditën nuk ua gjejmë në jetën e përditshme e në ambiente të shtëpisë, të familjes. Por tani traditës sikur ia kemi ndryshuar funksionin, përkatësisht shumë elemente të traditës i bartim në jetën shoqërore publike, si në institucione të ndryshme, në dasma që zhvillohen në restorante, në përurime të ndryshme institucionale e të tjera. Edhe pse në raste të këtilla kjo traditë nuk mund të jetë adekuate e origjinale, por pretendohet se është e traditës. Profesionisti antropolog e etnolog do të thoshte se këto janë krijime e shpikje të reja, që sërish në mënyrën e vetë krijojnë traditë. Nuk mund të ndalet ky ritëm, të shprehem i globalizimit të këtillë, i cili krijon glokalizma të reja, krijon traditë të kohës. Përshtatja e ka rrugën e vetë, ndërsa detyrë e profesionistit shkencëtar është që këto ti dallojë dhe t’i jetësojë në studime e shkrime.
Portalb.mk: A ekziston rreziku i humbjes së traditave dhe çfarë mund të bëjmë për t’i ruajtur ato? Si është situata e ruajtjes së veshjeve popullore në rajone të ndryshme?
Drita Halimi Statovci: Tradita nuk është dukuri statike, ajo evoluon, ndryshohet, pasurohet e krijohet me elemente të kohës respektive. Antropologu Frykman vëren se njerëzit konstruktojnë të ashtuquajturin vet-identitet, por edhe identitetin e grupeve kulturore fare të lire nga traditat e lashta. Andaj, edhe për kulturën tone vlen ky konstatim. Tradita nuk mund të “konservohet” si e tillë, por ajo mund të studiohet, të performohet, të ruhet në koleksione muzeale e të jetësohet në studime e shkrime shkencore. Më pyetni për ruajtjen e veshjeve. Etnologu Rrok Zojzi pohon se shqiptari e ka shumë të zhvilluar ndjenjën e mbajtjes së trupit dhe se ai për një veshje të bukur e të mirë nuk bën asnjë kursim. Si duket për arsye të këtillë shkenca e etnologjisë ka arritur të gjejë e studiuar mbi 140 tipa të veshjeve për burra e për gra. Por në këtë kohë të globalizimit të përgjithshëm, veshjet origjinale, të mirëfillta popullore i gjejmë vetëm në koleksione e ekspozita muzeore. Në anën tjetër koha krijon veshjet e kohës së dhënë, prandaj veshjet e traditës së mirëfilltë nuk mund t’i shpëtojnë procesit të ndryshimeve, zbehjeve, braktisjeve deri në zhdukje nga përdorimi i përditshëm aktiv. Por, etnologu e shkëput nga harresa duke e jetësuar në muzeume, ose në botimet përkatëse.
Portalb.mk: Sa vlerësohet dhe kuptohet etnologjia në trojet shqiptare, si ndiheni për mirënjohjet dhe vlerësimin që ju është dhënë për kontributin tuaj në këtë fushë?
Drita Halimi Statovci: Sot Etnologjia dhe Antropologjia kuptohet fare mire dhe vlerësohet drejtë gjithkund në hapësirat shqiptare-në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni edhe ku do ku jetojnë shqiptarët. Mirënjohja për kontributin tim, dhënë nga Instituti Albanologjik dhe nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës është një respekt, satisfaksion dhe vlerësim për punën time. Njeriu jonë di të vlerësoj dhe të rrisë personalitetet e trashëgimisë së vetë, ndërsa këto mirënjohje më motivojnë dhe njëherit më obligojnë që të vazhdoj hulumtimet e studimet edhe me më shumë përkushtim. Unë hulumtoj dhe studioj kulturën, përkatësisht trashëgiminë kulturore, ndërsa trashëgimia kulturore krijon kohezion. Këtë e pretendojmë dhe e dëshirojmë të gjithë.
Portalb.mk: Çfarë mesazhi keni për ata që ndoshta nuk e kanë menduar më parë rëndësinë e etnologjisë dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore?
Drita Halimi Statovci: Nuk e preferoj të jap porosi e mesazhe, por jam e mendimit se profesionin që zgjedh të punosh, duhet t’i përkushtohesh dashuruar dhe duhet punuar me vullnet e sinqeritet. Vetëm kështu vjen edhe suksesi.