Edlira Destani në OpenMic: Vonesa në të folur te fëmijët vjen edhe nga përdorimi i mjeteve teknologjike që në moshë të vogël
Në episodin e dhjetë të OpenMic në Portalb.mk flasim me psikologen Edlira Destani.
Me atë biseduam për problematikat me të cilat ballafaqohen fëmijët si ngecja në zhvillim, vështirësitë në të folur, përdorimi i mjeteve teknologjike dhe shumë elemente të tjera në këtë drejtim.
Destani sqaroi se kur prindërit duhet të shqetësohen dhe më e rëndësishmja si të veprojnë në rastet kur vërejnë që fëmijët e tyre kanë ndonjë ngecje në zhvillim.
Dy alarmet kryesore ajo tha se janë kur fëmija kërkon çdo gjë me të qarë dhe kur nuk e kthen kokën kur thërritet në emër.
“Ajo që vërtetë duhet ti shqetësojë prindërit është kur është ai fëmija i qetë që merret nonstop me lodrat e veta gjoja të preferuara po që janë stereotipike në zhvillime, kur sa herë që ndryshohet kjo rutinë ata shpërthejnë në të qara të cilat nuk kanë fund, apo kur fillojnë të kenë edhe problematika të tilla ku ende në moshën 18 muajsh apo më të mëdhenj nuk kanë filluar të artikulojnë fjalë”, tha Destani.
Ajo tha se faktor shumë i rëndësishëm që ndikon në pengesat e fëmijëve në të folur është përdorimi i mjeteve teknologjike që në moshë shumë të vogël.
Mes tjerash ajo tha se kur prindërit vërejnë se me fëmijët e tyre nuk shkon diçka ata duhet të kërkojnë ndihmë nga mjeku amë, specialistë, psikolog, defektolog apo logoped.
Ajo madje theksoi se jo çdo gjë që prindërit lexojnë në internet duhet ta krahasojnë me fëmijët e tyre, pasi çdo fëmijë është i ndryshëm, varësisht nga gjenetika apo rrethi ku po rritet.
“E vetmja gjë që mund ta bëjnë për ta ndihmuar fëmijën është thjesht të kërkojnë një mendim si hap të parë te një specialist i caktuar, qoftë ky edhe mjeku pediatri dhe më pas të shohin për më tej, ndihma sa më shpejtë është më e mira”, porositi Destani.
Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.