E ardhmja e integrimit të Ballkanit në BE mes tensioneve transatlantike

Javën e kaluar, Shqipëria hapi Klusterin e 4 me BE-në, një lëvizje e jashtëzakonshme diplomatike drejt anëtarësimit të Tiranës zyrtare në BE përpara vitit 2030. Zyrtarë të tjerë të BE thanë se Shqipëria dhe BE do të jenë në gjendje të përfundojnë të gjithë kapitujt e anëtarësimit shumë më shpejt, gjë që paraqet një lajm të mirë për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit.

Në të njëjtën kohë, Gjermania u paraqit si një shtet pesimist, duke u dhënë vendeve të tjera ballkanike një sinjal se anëtarësimi nuk është më i rëndësishëm dhe se po shqyrtohen opsione të tjera. Marrëveshja e re e partnerëve të koalicionit në Gjermani mund të ketë pasoja. Sipas gazetës autoritative gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, qeveria e ardhshme federale është skeptike për zgjerimin e BE-së. Gjermania fillimisht kërkon disa reforma strukturore brenda BE-së dhe hapa të saktë nga vendet e përfshira në procesin e anëtarësimit. Pas lajmit të mirë nga Luksemburgu dhe rritjes së pesimizmit gjerman, në gjeopolitikën e BE-së ndaj Ballkanit, Ukrainës, Kinës dhe tarifave amerikane, një faktor gjeopolitik në rritje doli të jetë Italia, veçanërisht kjo u shfaq gjatë vizitës së fundit të kryeministres italiane Giorgia Meloni në SHBA.

Takimi me presidentin Donald Trump për të diskutuar politikën tarifore me kushtet italiane dhe më pas të BE-së, paraqet një rast për rritjen e ndikimit të Italisë jo vetëm në BE. A shihet vizita e Giorgia Melonit si një sfidë ndaj BE-së nga një anëtar i unionit për të negociuar një marrëveshje tregtare me kushtet e Italisë?! Sipas mediave, me ftesë të kryeministres Meloni, presidenti Trump pritet të vizitojë Italinë, ku më pas do të organizohej një takim me zyrtarë të BE-së për të diskutuar mbi tregtinë dhe tarifat. Meloni duket se po tregon se Italia është një aktor i rëndësishëm në marrëdhëniet transatlantike dhe jo vetëm. Nisma e Italisë mund të interpretohet si një sfidë për unitetin e BE-së, pasi Meloni sipas kritikëve po vepron me një agjendë kombëtare për të siguruar favore tregtare vetëm për Italinë. Duke pasur Gjermaninë dhe Italinë në dy pista, njëra pesimiste për zgjerimin dhe tjetra për të siguruar tregtinë me SHBA-në sipas kushteve të Italisë, po sinjalizohet një fazë tjetër. Anëtarësimi i vendeve ballkanike mund të humbasë momentin aktual. Ndërsa për disa qeveri ballkanike, faza e tronditjeve në BE ka gjasa të mirëpritet.

Marrëdhëniet e trazuara BE-SHBA janë sigurisht një lajm i keq për shtetet e Ballkanit. Për BE-në, e cila po përpiqet të bëjë një marrëveshje me SHBA-në për të parandaluar humbjet financiare, do të kërkojë që të gjithë anëtarët e BE-së të qëndrojnë bashkë me theks në ekonomi, diplomaci, dhe sigurimin e kufijve të BE-së. Është shumë e qartë se rreziku në rritje nga forcat politike të brendshme që kundërshtojnë anëtarët e mundshëm nga Ballkani dhe më gjerë, është një mesazh për të gjithë se si mund të shkojnë gjerat në BE. Në këtë kontekst, përparimi i Shqipërisë mund të dështojë nëse pesimizmi rritet në Berlin.

Politika të tilla nga qendrat evropiane do të ngadalësojnë reformat tashmë sipërfaqësore të disa vendeve të tjera të Ballkanit. Në thelb, në kohë të trazuara, opinione të ndryshme mund të marrin formë për një kohë derisa BE të gjejë një zgjidhje me SHBA-në, Kinën dhe Rusinë. Pavarësisht dilemave që ekzistojnë midis shteteve evropiane për zgjerimin me anëtarë nga Ballkani, mbështetja e deritanishme e Italisë dhe Gjermanisë ka qenë e rëndësishme për të mbajtur qeveritë ballkanike në rrugën e duhur. Vizita e Melonit në SHBA, në pamjen më të gjerë, ofron shpresë për anëtarësimin e Ballkanit në BE, por skepticizmi gjerman dhe francez do të parqesë shqetësime të reja. Sipas raporteve të mediave italiane, kryeministrja italiane Meloni ka kërkuar të zbusë ndikimin e tarifave të SHBA-së (20% për mallrat e BE-së, 25% për çelikun, aluminin dhe makinat) në ekonominë e udhëhequr nga eksportet e Italisë, e cila ka regjistruar një suficit tregtar prej 40 miliardë eurosh me SHBA-në në vitin 2024. Meloni ka mbështetur propozimin e BE-së për uljen e tarifave me sloganin “Make the West great again”.

Gjermania, nën kancelarin e ri Friedrich Merz, ka mbështetur gjithashtu propozimin e tarifave “zero për zero”. Tarifat e SHBA-së prej 20% për mallrat e BE-së, duke përfshirë ekonominë e rëndë të eksportit të Gjermanisë (qarkullimi tregtar me SHBA-në në 252.8 miliardë euro në 2024), shihen si një kërcënim i madh për bazën industriale të Gjermanisë dhe atë automobilistike. Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja duhet të negociojnë jo vetëm për fatin e tregtisë transatlantike, marrëdhëniet BE-SHBA kanë gjithashtu ndikim në rrugën drejt anëtarësimit të shteteve të Ballkanit. Skenari më real është që Mali i Zi dhe Shqipëria të bëhen anëtarë të unionit deri në vitin 2030 ose më herët. Bazuar në dinamikën aktuale të marrëdhënieve BE-SHBA dhe të vendeve kandidate me BE, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ka të ngjarë t’i bashkohen unionit gjatë viteve 2030-35. Rruga me një këndvështrim pesimist është për Kosovën dhe Bosnjë-  Hercegovinën. Nuk duhet hedhur poshtë fakti se skenari i Maqedonisë së Veriut, (nën kursin aktual të politikës së jashtme), përfundimisht mund të hyjë në aleancat ekonomike joperëndimore, për arsye të Bullgarisë. Në këtë rrugë, Serbia mbetet një vend që mund të paraqesë shqetësime jo vetëm për BE-në për shkak të standardeve të njohura të dyfishta.

Në fund të fundit, pa veprim të unifikuar të BE-së, besueshmëria e unionit gjatë viteve 2025-26 mund të ulet. Pesë vitet e ardhshme janë thelbësore për BE-në për të siguruar të ardhmen evropiane të Ballkanit mes turbulencave në Evropën Lindore, mosmarrëveshjeve ndërshtetërore në Ballkan dhe tensioneve ndërkombëtare. Shtetet ballkanike duhet të bëjnë më shumë me reformat dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet duke lënë orbitën ruse apo kineze për të bindur Italinë, Gjermaninë, Francën, Hollandën etj., se janë të përkushtuar ndaj angazhimeve të marra. Pavarësisht zhvillimeve të ardhshme, shtetet kandidate të Ballkanit duhet t’u ngjajnë vendeve me standarde ku zbatohet ligji. Ndërkohë, politika në nivel transatlantik sigurisht që do të ketë një efekt anësor dhe më pas të drejtpërdrejtë nëse nuk zgjidhen keqkuptimet evro-amerikane. Deri atëherë, qeveritë duhet të ndërmarrin hapa konkretë dhe seriozë për të përmirësuar ekonominë, marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe shumë më tepër.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre