Dyert e qiellit janë të hapura në Ramazan

Temën e lutjes, do e startojmë me një ngjarje që ka ndodhur mes Zekerias a.s dhe Merjemes a.s. Është pikërisht historia e tyre, boshti i kësaj teme. Sa herë që Zekeria a.s hynte në faltoren dhe tempullin ku gjendej Merjemeja, gjente tek ajo fruta dhe ushqime të ndryshme.

Kjo ishte një mrekulli nga ana e Zotit, tregues i vlerave dhe përkushtimit të Merjemes. Këtë mrekulli të saj e besojnë si të krishterët ashtu dhe myslimanët. Thotë Zoti në Kuran:“Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: “O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi”. (Al Imran, 37)

Në këtë kohë, Zekeria a.s ishte i shtyrë në moshë dhe koka i ishte mbushur me thinja. Gjëja që e kishte shqetësuar gjithmonë ishte pamundësia për të lindur një fëmijë, pasi e shoqja ishte sterile. Me kalimin e viteve dhe ardhjen e pleqërisë, Zekeria sikur i ishte dorëzuar këtij fati, sikur e kishte pranuar tashmë që nuk do të bëhej ndonjëherë baba. Por kur hynte tek Merjemeja dhe  gjente ushqime nga më të ndryshmet, u ndikua shumë. Kur e pyeste se nga i vinte ai furnizim dhe ushqim, Merjemeja ia kthente se vinte nga Zoti, i cili furnizonte robërit e Tij pa masë.

“Atëherë Zekerija iu lut Zotit të vet e tha: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!”(Ali Imran, 38)

Edhe më parë ai e kishte lutur Zotin që t’i japë një fëmijë, por këtë herë u lut me përgjërim dhe pasion. Ky përgjërim, forcë dhe pasion i erdhi kur konstatoi mrekullitë e Zotit, madhështinë dhe fuqinë e Tij. Në ato çaste atij i lindi dhe iu ndez shpresa, se Zoti mund t’i japë një fëmijë. Lutja e kësaj radhe ishte e fuqishme dhe plot bindje e siguri në pranimin e saj. Nga fuqia e lutjes, Zoti ia pranoi atë dhe e përgëzoi me një djalë.

“E ndërsa lutej në këmbë, në faltore, engjëjt e thirrën (Zekerijan):“Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjain.” (Al Imran, 39)
Në kontekstin e ajeteve që flasin mbi agjërimin është një gjest i mrekullueshëm që i adresohet thellësisë së zemrës, është melhem për shpirtin, ia largon vështirësinë që e ndjen agjëruesi, e bënë të ndjej shpërblimin e plotë dhe të përshpejtuar, ky ajet të bënë të ndjesh kënaqësinë e afërsisë së Zotit, të bënë të ndjesh ëmbëlsinë e premtimit dhe përgjigjes së lutjes momentin kur i Madhëruari  në fund të ajetit ku bëhet obligim agjërimi tha: E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” Ky ajet ndërmjetëson mes dy ajeteve që flasin për agjërimin që njëkohësisht derdh në zemrën e agjëruesit kuptimet më të plota të kënaqësisë dhe afërsisë, besimit dhe bindjes.

Gjithashtu ku ajetë tregon qartë lidhshmërinë e ngushtë mes agjërimit dhe lutjes, njashtu tregojnë se kohërat që më së shumti pranohet lutja është muaji i ramazanit ku në shumë raste emërtohet edhe si muaji i Duas (lutjes).

Rreth vlerës së lutjes ekzistojnë shumë ajete dhe hadithe  do ti cekim disa prej tyre:

“Zoti juaj, ka thënë: “Më thirrni Mua (më adhuroni), Unë do t’ju përgjigjem (shpërblejë)! Me të vërtetë, ata që mendjemadhësohen e nuk duan të Më adhurojnë – do të hyjnë të poshtëruar në skëterrë”. Gafir: 60.

I Dërguari i All-llahut thotë: “Adhurimi më i mirë është duaja”

“Zoti i juaj – qoftë i lartësuar e madhëruar – është i turpshëm dhe bujar. Turpërohet nga robi i tij kur i ngrit dy duart drejt Tij që t’ia kthej të thata dhe të dështuara. ”

“Nuk ka ndonjë mysliman që e lut Allahun me një lutje në të cilën nuk ka mëkat apo ndërprerje të lidhjeve farefisnore e që mos t’ia jep Allahun njërën nga këto të tri: Ose ia shpejton atij lutjen e tij, ose ia deponon atë në botën tjetër apo ia largon nga e keqja të ngjashme sikurse ajo për të cilën është lutur. Shokët e tij thanë: Atëherë, do të shtojmë lutjet e Ai tha: Allahu u shton edhe më.”

“Ai që nuk kërkon nga Allahu, Allahu i hidhërohet atij.”

Umer ibnul Hattabi thotë: “Mua nuk më shqetëson aspak nëse duaja do të pranohet, pasi është diçka e garantuar nga vetë Zoti. Ajo që më shqetëson është vetë duaja. Nëse mbarësohesh për t’u lutur, paralelisht do të pasojë pranimi i lutjes.”

E lusim Zotin t’u përgjigjet lutjeve tona! Amin!

Shkruan Hoxhë Abdyl Fuga