U nda nga jeta ikona e valles shqipe Lili Cingu

Emri i Lili Cingut që u nda nga jeta sot është përmendur dhe krahas emrit të Rexhep Çelikut si personalitete që kanë arritur majat në fushën e valles dhe koreografisë shqiptare. Por, partneri i saj i parë i skenës ishte Besim Zekthi , i cili nëse do ishte gjallë do të mbushte 88 vjet sot , pra do të kremtonte ditëlindjen, pikërisht në ditën e shuarjes së Lilit, njofton Portalb.mk

Lili Cingu, foto nga Facebooku zyrtar
Lili Cingu, foto nga Facebooku zyrtar

Lili Cingu viteve të fundit ka qenë e pranishme në Maqedoni si bashkëpunëtore dhe mysafire nderi e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Për brezat e hershëm, kjo ka qenë një ëndërr, pasi shumica e kanë ndjekur aktivitetin e tyre përmes ekraneve televizive. Madje, Lili Cingu ka performuar para dy vitesh në kuadër të programit të ansamblit, krahas valltarit dhe koreografit të ri Ilir Lokut.

Miqtë dhe të afërmit shprehën pikëllimin e thellë nga lajmi për ndarjen nga jeta të valltares aq të dashur për publikun dhe miqtë, ku mes tjerash koreografi dhe valltari i Ansamblit Popullor Genc Kastrati shkruan:

‘’ Me zemrën e mbushur me trishtim dhe respekt, e shkruaj këtë status për të shprehur ndjenjat e mia për humbjen e një figure të shquar të artit dhe kulturës shqiptare, “Mjeshtren e Madhe”, “Nderin e Kombit”, znj. Lili Cingu. Ajo ishte shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore që mund të sjellë një artist. Përmes performancave të saj me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ajo jo vetëm që magjepsi audiencën, por edhe u mësoi brezave të ardhshëm rëndësinë e trashëgimisë kulturore. Performancat e saj do të mbeten në kujtimet tona si momente të paharruara dhe si një dëshmi e qartë e dashurisë së saj ndaj artit. Ndërsa përballemi me humbjen e saj, le të kujtojmë dhe të çmojmë kujtimet dhe mësimet që na la “Mbretëresha e valles Shqiptare” Lili Cingu. Ajo do të vazhdojë të jetojë në zemrat dhe mendjet tona përmes artit të saj dhe pasionit të papërsëritshëm që shprehu në çdo hap të jetës së saj’’, e përmbyll ai.

Lili Cingu, foto nga Facebooku zyrtar
Lili Cingu, foto nga Facebooku zyrtar

Lili Cingu lindi në Tiranë më 31 dhjetor 1950. Që në moshën 12 vjeçare përfaqëson shkollën”11 Janari” në një konkurrim sportiv, ku dhe fiton një medalje duke u kualifikuar e para. Regjistrohet në grupin e valleve pranë Pallatit të pionierëve dhe më vonë 1963 ndjek një kurs vallëzimi katërvjeçar pranë AKKVP, nën drejtimin e Gëzim Kacelit. Ajo ju kushtua tërësisht valles dhe nuk mbeti e zhgënjyer.

Përfundon shkollën e mesme në Liceun artistik “Jordan Misja” në degën e koreografisë.

Në vitin 1967, pranohet si valltare profesioniste pranë AKVP, krahas valltareve të tjera. Në fillim interpreton si valltare e thjeshtë në grupin e valleve në vallet “Vallja e maleve”, “Vallja e tërkuzës” etj.

Që nga viti 1969 pas një turneu në Turqi ajo u bë një ndër solistet më të shquara të AKKVP, e cila për më se 30 vjet rresht arriti që në repertorin e saj të interpretonte rreth 200 valle , nga më të thjeshtat e deri tek ato më të arrirat si “Vallëzimi i shqipeve”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria” “Vjelja e gështenjave”, “Në garë”, ”Valle me motive të Labërisë”, “Vallja e Tiranës”, etj.

Një rol të rëndësishëm në jetën e gjatë artistike të Lili Cingut kanë luajtur edhe koreografët, ata që i besuan asaj perlat e koreografisë, duke filluar që nga Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj etj.

Lili Cingu është shquar për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, si dhe një kulturë të lartë muzikore, si njohëse e folklorit të të gjitha trevave. Këto cilësi i dhanë asaj mundësinë që të shpreh më mirë aftësinë në interpretimin e valleve lirike, por edhe atyre epike. Me kërcim të lehtë e plotë bukuri interpretoi me shije si vallen e Jugut, Çamërisë, të Dropullit, të Korçës, të Kolonjës, të Shqipërisë së Mesme,, ashtu edhe vallet epike të Veriut (Shota dhe Azem Galica”, “Sup më sup me malet”, “Oshëtima e maleve”, etj. Dhe natyrisht në këtë interpretim dinjitoz të saj nuk mund të mos përmendim partnerët e saj në AKKVP Besim Zekthi, Bashkim Braho, Rexhep Çeliku etj.