Dy të arrestuar për vjedhjen e bizhuterive në Luvër

Dy të dyshuar janë arrestuar për vjedhjen e bizhuterive të çmuara të kurorës nga muzeu i Luvrit në Paris, transmeton Portalb.mk nga BBC.

Sipas gazetës Le Parisien, burrat ishin me origjinë nga periferia pariziene e Seine-Saint-Denis dhe njëri po përgatitej të largohej me avion nga Aeroporti Charles de Gaulle.

Gjërat me vlerë 88 milionë euro u vodhën nga muzeu më i vizituar në botë të dielën e kaluar, kur katër hajdutë me vegla elektrike u futën në ndërtesë në mes të ditës.

Ministri i drejtësisë i Francës ka pranuar që atëherë se protokollet e sigurisë “dështuan”, duke e lënë vendin me një “imazh të tmerrshëm”.

Raportet thonë se të dyshuarit, të cilët janë të njohur për policinë për vjedhje të mëparshme, u arrestuan të shtunën në mbrëmje.

Policia e specializuar tani e ka marrë përsipër çështjen dhe mund t’i marrë në pyetje deri në 96 orë.

Banda thuhet se mbërriti në orën 09:30, pak pasi muzeu u hap për vizitorët.

Të dyshuarit mbërritën me një ashensor mekanik të montuar në automjet për të hyrë në Galerie d’Apollon (Galeria e Apollonit) nëpërmjet një ballkoni afër lumit Sena.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes treguan shkallën që të çonte në një dritare të katit të parë.

Dy nga hajdutët hynë brenda duke prerë dritaren me mjete elektrike.

Më pas ata kërcënuan rojet, të cilët evakuuan ambientet dhe prenë xhamin e dy vitrinave që përmbanin bizhuteri.

Një raport paraprak ka zbuluar se një në tre dhoma në zonën e muzeut të bastisur nuk kishte kamera CCTV, sipas mediave franceze.

Policia franceze thotë se hajdutët qëndruan brenda për katër minuta dhe u arratisën me dy skuterë që prisnin jashtë në orën 09:38.

Zyrtarët kanë thënë se masat e sigurisë janë shtrënguar rreth institucioneve kulturore të Francës.