Dy sportelet policore edhe sot do të japin dokumente të gatshme në Shkup

Policia e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar që edhe sot do të jepen letërnjoftime, leje dhe pasaporta që tashmë janë të gatshme për qytetarët, transmeton Portalb.mk.

“Informojmë qytetarët se të shtunën (03.02.2024) do të punojnë sportelet për dhënien e dokumenteve të gatshme në objektet në Beko dhe RTVM në Shkup”, njoftoi Ministria për Punë të Brendshme.

Orari i punës do të jetë prej orës 08:00 deri në ora 16:00.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve. Ndërkohë Greqia nuk ka pranuar të zgjatet afati për ndërrimin e dokumenteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.