Shqipëri, mungojnë masat ligjore për fushatat zgjedhore online
Në Shqipëri, ekspertë të zgjedhjeve po nxitin autoritetet që të kryejnë rregullime ligjore ose vetërregullime etike mbi fushatat zgjedhore online, ndërsa teknologjitë e reja kanë marrë një zhvillim dhe përhapje të gjerë, raporton Zëri i Amerikës.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, thotë se fushatat online mund të rregullohen vetëm përmes detyrimeve ligjore, të cilat ende mungojnë.
Ekspertë të pavarur pohuan për Zërin e Amerikës se mungon së pari vullneti i partive politike, të cilat krahas shfrytëzimit të internetit pa ndonjë bazë ligjore, vazhdojnë abuzimet në terren gjatë fushatave.
Ndonëse teknologjitë e reja kanë ndryshuar fuqishëm jetën politike shqiptare dhe fushatat e saj zgjedhore, Shqipëria nuk ka ndryshuar ligjet e kësaj fushe.