Dy shtetas të Kosovës përfunduan prapa grilave në Shkup pasi dyshohen se falsifikuan para, u gjetën rreth 230 mijë euro

Më 03.08.2026, në Shkup, nga ana e nëpunësve policorë të Njësitit të Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup janë privuar nga liria F.R. (30) dhe T.T. (44), të dy shtetas të Republikës së Kosovës, mbi dyshime të bazuara se kanë kryer veprën penale „falsifikim i parave“, sipas nenit 268 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Gjegjësisht, gjatë kontrollit të një automjeti “Golf”, në të cilin ndodheshin dy personat, janë gjetur para në valuta dhe vlera të ndryshme (euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane dhe paund britanikë), me vlerë të përgjithshme prej rreth 230.000 eurosh.

“Paratë e gjetura janë konfiskuar, ndërsa personat janë shoqëruar në Stacionin Policor Qendër për procedurë të mëtejshme”, informoi Ministria e Brendshme.

Pas dokumentimit të rastit, në koordinim me prokurorin publik, do të parashtrohet kallëzim përkatës.