Durmishi: Nuk ka rritje drastike të çmimeve të produkteve bazë ushqimore

Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi vlerëson se nuk ka rritje drastike të çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe pohon se inspektorët e tregut po monitorojnë gjendjen në të gjithë zinxhirin nga prodhimi deri te shitja me pakicë, transmeton Portalb.mk.

Durmishi theksoi se pas përfundimit të masave më 30 prill, gjatë gjithë muajit maj, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka ndjekur çmimet nëpër markete, shpërndarës dhe prodhues, për të konstatuar nëse ka rritje të çmimeve, veçanërisht të produkteve ushqimore bazë.

“Nuk ka rritje drastike të çmimeve në pjesën ku ne jemi kompetentë, në pjesën e produkteve ushqimore bazë. Çdo muaj Inspektorati Shtetëror i Tregut do të jetë në terren duke parë, nëse rastësisht ndodh që të kemi rritje të tepruar dhe të pajustifikuar ekonomikisht nga tregtarët në çmime, natyrisht që do të marrim përsëri vendime dhe këtë e kam thënë edhe në deklarata të tjera që do të marrim masa më rigoroze sesa ato që kemi ndërmarrë deri tani” tha Durmishi duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Tetovë ku ishte organizuar një takim me qytetarët për të promovuar Planin Operativ të ri për Punësim për vitin 2025.