Duhet të zgjedhim safin

Fryerjnë erëra të ftohta nga lindja. Bota po ndahet sërish nën pedren e hekurt të luftës së ftohtë. Ngadalë kthehemi në periudhën në të cilën kanë jetuar prindërit tanë, kur bota ishte e ndarë në dy blloqe dhe mes tyre binte perdeja e hekurt që u ngrit për pak kohë rreth viteve 1990 dhe tani po ulet sërish, më e fortë se kurrë. Bota gjithmonë ka qenë e ndarë mes lindjes dhe perëndimit, mes demokracisë dhe totalitarizmit, mes hegjemonisë dhe shoqërisë së lirë. Tani kjo ndarje është ende më e dukshme, pas luftës në Ukrainë që nuk po përfundon ende pas rreth dy vitesh.

Në Moskë u takuan lidrerët botërorë të totalitarizmit dhe hegjemonisë, Putin dhe Kim Xhong-Un. Ata biseduan për bashkëpunim të mëtejshëm mes këtyre dy shteteve, ndërsa e gjithë bota e di se thelbi i atij bashkëpunimi është në sferën ushtarake, dhe kjo shihet si përpjekje e Putinit për të përparuar në luftën kundër Ukrainës, për të cilën në fillim ai tha që do të zgjaste vetëm tri ditë, e tani është deri në fyt i zhytur në një pozitë tejet të palakmueshme.

Në këto kushte, kur shtetet kyçe në botë janë duke u ndarë në dy blloqet tradicionale mes lindjes dhe perëndimit, komunikimi mes blloqeve vështirësohet, dhe ajo çka pason është zgjedhja e anës së duhur të pozicionimit. Në këtë periudhë të gjitha shtetet e vogla dhe jo shumë relevante për politikën botërore, duhet të zgjedhin anën në të cilën do të pozicionohen. Ose jeni me Amerikën dhe perëndimin, ose jeni me Putinin dhe me lindjen. Si në çdo kohë krize, mesatarja fillon të zhduket, dhe nuk mund të jeni në të njejtën kohë me këta dhe me ata. Duhet të zgjidhni safin dhe të qëndroni aty ku e keni vendin.

Në momente kyçe si këto, kur stabiliteti botëror vihet në rrezik, kur e gjithë bota vjen në cepin e luftës dhe kur armët nukleare vihen në gatishmëri, gjithçka tjetër humb kuptimin dhe mbetet vetëm esenca e asaj se me kë jemi: me lindjen, apo me perëndimin. Kjo duhet kuptuar si gjendje emergjente, kur pezullohen të gjitha ligjet, përveç të drejtave esenciale të njeriut, dhe kur veprohet politikisht lidhur me ardhmërinë që duam t’ia paracaktojmë shtetit.

Maqedonia e Veriut është poashtu në këtë udhëkryq ku duhet të zgjedhë safin e vet, lindjen apo perëndimin. Perëndimi është NATO, SHBA dhe Unioni Evropian. Lindja është një vend i errët ku asgjë nuk është e qartë dhe nuk ka perspektivë. Prandaj nuk ka vend për dilema dhe hamendje. Perëndimi jonë është Unioni Evropian. Rruga jonë për në UE kalon përmes ndryshimeve kushtetuese. Kjo është e gjitha. Opsion tjetër nuk ka. Ose kalojnë ndryshimet kushtetuese dhe ne rradhitemi aty ku e kemi vendin, ose nuk kalojnë dhe ne drejtohemi drejt humnerës që na pret krahëhapur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.