Drejtoria Doganore e RMV-së parandaloi kontrabandën e 3.590 tabletave Tramadol

Drejtoria Doganore e Maqedonisë së Veriut informon se ekipi mobil parandaloi kontrabandën e 3590 tabletave tramadol të zbuluara në bagazhin personal të një pasagjeri gjatë kontrollit të një autobusi në vendkalimin kufitar Tabanovc, njofton Portalb.mk.

“Në momentin kur autobusi ishte vendosur në një skaner mobil, ku secili nga pasagjerët kishte nxjerrë bagazhin e tyre personal nga autobusi, pasagjeri tentoi ta shfrytëzojë momentin dhe çantën e hodhi mbi rrethojën me tela të terminalit doganor të Tabanovcit. Ai është vënë re nga një prej inspektorëve, me ç’rast është dërguar menjëherë për kontroll të detajuar. Gjithsej 359 shirita me nga dhjetë pilula Doreta që përmbanin secila 75 mg hidroklorur Tramadol u zbuluan në bagazhin e tij personal, në mëngët e këmishës, xhinse dhe në çorapet e tij”, thuhet në njoftim.

Rasti është zbuluar gjatë daljes nga shteti, kur autobusi ishte në linjë të rregullt Maqedoni e Veriut -Danimarkë. Ndaj pasagjerit, përndryshe shtetas i RMV-së, është dorëzuar kallëzim përkatës.