Drejtësia dhe përgjegjësia

Dënimi me 12 vjet burg për Vasil Jovanovin, i cili me veturë goditi për vdekje Frosina Kulakovën në një rrugë të Shkupit, është ndër vendimet më të komentuara të kohëve të fundit në Maqedoninë e Veriut. Ky rast ka hapur një debat publik të gjerë mbi drejtësinë, masën e ndëshkimit dhe përgjegjësinë që mbajnë të rinjtë për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë veprimet e tyre.

Sipas aktgjykimit, Jovanov ka qenë duke drejtuar makinën pa leje, nën ndikimin e alkoolit, me shpejtësi të madhe prej 91 km/h dhe në momentin kritik ka kaluar në semafor të kuq, duke goditur për vdekje vajzën 22-vjeçare që po kalonte rrugën në vendkalimin për këmbësorë. Këto rrethana përbëjnë shkelje të rënda të ligjit dhe të standardeve më bazike të sigurisë në komunikacion.

Në këtë kuptim, dënimi prej 12 vjetësh është në përputhje me ligjin dhe nuk duhet të shihet si i butë, as si i rëndë. Përkundrazi, ai është një mesazh i qartë se veprimet e pakujdesshme dhe të paligjshme në trafik, sidomos kur rezultojnë me pasoja fatale, do të trajtohen me seriozitetin maksimal nga sistemi i drejtësisë.

Megjithatë, në anën tjetër të këtij debati gjenden zërat që kërkojnë dënime edhe më të ashpra, të nxitura nga dhimbja legjitime e familjes së viktimës dhe ndjenja e tronditjes në opinion. Kërkesa për “drejtësi më të madhe” është e kuptueshme dhe duhet respektuar, por njëkohësisht është e rëndësishme të mos rrëshqasim drejt ideve të ndëshkimeve drakonike apo të ashpra përtej masës. Drejtësia nuk duhet të udhëhiqet nga emocionet momentale, por nga parimet e proporcionalitetit dhe humanizmit.

Nuk duhet të harrojmë se 12 vjet burg në një sistem penitenciar si ai në Maqedoninë e Veriut, ku sfidat e resocializimit janë të mëdha dhe kushtet janë shumë larg ideales, përfaqëson një periudhë të gjatë dhe të rëndë. Kërkimi i dënimeve më të ashpra duhet të shoqërohet me vetëdijen për atë se çfarë realisht nënkupton burgu për një të ri që sapo ka hyrë në moshën madhore.

Rasti i Frosinës na kujton se tragjeditë në komunikacion nuk janë vetëm statistika. Ato janë pasojë e dështimeve individuale, por shpesh edhe të shoqërisë në tërësi për të edukuar, parandaluar dhe për të kultivuar ndjenjën e përgjegjësisë qytetare. Të rinjtë duhet të mësojnë se liria vjen me përgjegjësi dhe se pasojat e rënda kanë çmim të madh. Por njëkohësisht, shoqëria duhet të kujdeset që ndëshkimi të mos jetë vetëm hakmarrje, por edhe mësim dhe mundësi për reflektim e ndryshim.

Drejtësia në këtë rast ka folur, dhe ajo është e balancuar. Rasti nuk duhet të relativizohet, por as të përdoret për të kërkuar dënime shembullore që kalojnë kufijtë e arsyes. Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë si shoqëri është se si të parandalojmë që raste të tilla të mos ndodhin më, përmes edukimit, politikave të qëndrueshme për sigurinë në trafik, dhe një kulture më të thellë të përgjegjësisë qytetare.

Në fund, drejtësia nuk është vetëm për të ndëshkuar ata që gabojnë, por edhe për të ruajtur koherencën morale të një shoqërie që synon të jetë më e drejtë për të gjithë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.