Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 shënoi kulmin e dominimit amerikan, i cili shpesh quhet si “momenti unipolar”, ku SHBA-ja qëndronte si e vetmja “hiperfuqi” në botë. Termi “hiperfuqi” (hyperpuissance), i krijuar nga ish-ministri i jashtëm francez Hubert Védrine, shkon përtej termit “superfuqi”. Ai përshkruan dominimin në të gjitha sferat.
Një nga tiparet e qeverisjes globale amerikane janë ambiciet e tepruara “perandorake” është imperial overstretch. Rasti i fundit i Venecuelës dhe fërkimet reth Grenlandës flasin për një trumpizëm që përmes “America First” kërkon dominimin ndaj rivalëve dhe udhëheq një diplomaci të logjikës së pazarit (Real Estate Diplomacy). Rënia e Pax Americana mund të çojë drejt një rendi botëror më të fragmentuar, deri te ajo që Daniel Araya e ka quajtur Pax Multipolaris, paqja shumëpolëshe. Kjo gjendje mund të ofrojë mundësi për shtete si Kina, Rusia, India që të shfaqen si aktorë globalë “më të përgjegjshëm”, duke kontribuar në formësimin e një sistemi ndërkombëtar më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë. Këtë të fundit e kërkon me ngulm edhe presidenti turk Erdoğan.
Leonid Savin (2020) në veprën e tij Ordo Pluriversalis: Fundi i Pax Americana dhe ngritja e multipolaritetit përpiqet të dëshmojë shuarjen e rendit botëror unipolar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe të modelit të tij shoqërues liberal-globalist të menaxhimit planetar. Rendi global po kalon një transformim të thellë, i shënuar nga largimi prej unipolaritetit amerikan drejt një epoke të re të përcaktuar nga rivaliteti shumëpolar. Ordo Pluriversalis apo rendi i shumëbotshëm i referohet një rendi botëror ku nuk ekziston një qendër e vetme hegjemone dhe bashkëjetojnë shumë vizione, qytetërime, modele politike e kulturore. Kina mbron një botë të sovranëve të barabartë (sovereign equals).
“Ndryshe nga siguritë institucionale të rendit të Bretton Woods, sistemi shumëpolar i sotëm qeveriset nga spektri i kolapsit të njëpasnjëshëm — pikat kritike të klimës, përhapja bërthamore, thyerja teknologjike dhe kërcënimi i luftës mes fuqive të mëdha. Rezultati nuk është një rend global harmonie, por një menaxhim i vazhdueshëm rreziku — i mbajtur i bashkuar më pak nga rreshtimi ideologjik sesa nga njohja pragmatike se bashkëpunimi, sado i kufizuar apo transaksional, është alternativa e vetme ndaj katastrofës. Këto rreziqe nuk e eliminojnë konkurrencën gjeopolitike, as nuk e zbutin rivalitetin ekonomik. Përkundrazi, ato vendosin kufij mbi fushëveprimin e luftës shumëpolare, pasi kostot e konfliktit të pakontrolluar rriten deri në nivelin e rrezikut ekzistencial.” Më shumë se një rishpërndarje e pushtetit, Pax Multipolaris nënkupton një ripërcaktim të mënyrës se si operon pushteti përmes vijave civilizuese, ideologjike dhe teknologjike të kontrollit. Nën Pax Multipolaris, asnjë fuqi e vetme nuk i vendos rregullat. Përkundrazi, paqja formësohet përmes parandalimit ushtarak dhe kërcënimit të përbashkët të zhdukjes globale. (Araya, 2025)
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.