Dita e 9-të e protestës, qëllohet me gurë drejt kryeministrisë, studentët refuzojnë përsëri dialogun

Dita e nëntë e protestës ka qenë paqësore. Në mbrëmje, disa të rinj kanë qëlluar me gurë godinën e kryeministrisë ndërsa pjesa tjetër e turmës vijon të qëndrojë paqësisht në bulevard. Të dislokuar në anë të kryeministrisë, qëndrojnë dhe autobotët me ujë në rast nevoje për të ndërhyrë, raporton Klan.

Kreu i qeverisë Edi Rama, rrugës duke shkuar në Budva për Samitin e Procesit të Berlinit, u është përgjigjur pyetjeve të një studenti.

Nisur nga protestat studentore që për të nëntën ditë radhazi kanë pushtuar rrugët e Tiranës dhe disa qytete në Shqipëri, Rama është shprehur i hapur për dialog, por jo me dhunuesit.

Më pas kreu i qeverisë u ndal edhe te çështja e Zvërnecit, e cila ka qenë shkëndija për nisjen e protestës së “Flamingove”, tha se gjithnjë ka qenë i hapur për të dialoguar.

Duke iu përgjigjur pyetjes së studentit për zyrtarët nga kampi socialist, të cilët sot ndodhen përpara drejtësisë, Rama ripërsëriti frazën se nuk ka mbrojtur asnjëherë askënd nga “shpata e drejtësisë”.

Në mënyrë simbolike, protestuesit kanë djegur përpara kryeministrisë një karrige, duke i dërguar kryeministrit Edi Rama mesazhin se mundësia për dialog student – qeveri nuk ekziston.