Diskutim i Metamorfozis: Si përhapen dhe parandalohen narrativet anti-BE dhe gjuhës së urrejtjes në Ballkanin Perëndimor?
Në organizim të Fondacionit “Metamorfozis” sot online u mbajt një vebinar/diskutim në panel në temë “Parandalimi i narrativave anti-BE dhe gjuhës së urrejtjes në Ballkanin Perëndimor: Sfidat dhe përgjigjet”. Eventi është pjesë e programit të Ditëve të Edukimit Mediatik, që do të mbahen nga 17 deri më 24 nëntor, transmeton Portalb.mk.
Gjatë sesionit u analizuan narrativat anti-BE më të qëndrueshme që qarkullojnë në të gjithë rajonin, me ç’rast u theksua se si aktorët politikë, mediat partiake dhe grupet e ndryshme ideologjike e paraqesin BE-në si një kërcënim për identitetin kombëtar, sovranitetin ose vlerat tradicionale. Pjesëmarrësit folën për atë se si këto narrativa janë zhvilluar në vitet e fundit, si ndikojnë ato në opinionin publik dhe në rrugën drejt integrimit të vendeve në BE dhe si krizat e brendshme politike kryqëzohen me presionet e jashtme gjeopolitike që po e luhasin besimin në BE-në.
Sesioni ofroi udhëzime praktike për profesionistët e medias, organizatat e shoqërisë civile dhe politikëbërësit lidhur me trajtimin e dezinformatave, zvogëlimin e ndikimit të gjuhës së urrejtjes dhe për përforcimin e rezistencës publike ndaj mesazheve të koordinuara anti-BE në rajon.
Narrativat anti-BE do të vazhdojnë të përhapen në Shqipëri
Barbara Hala, gazetare nga Shqipëria (Faktoje), theksoi se Shqipëria është një vend shumë “pro-BE”, por se atje ka narrativa anti-BE dhe ndikim pro-rus.
“Ekzistojnë narrativa që e fajësojnë BE-në dhe NATO-n për konfliktet gjeopolitike. Këto janë narrativa që qarkullojnë në mediat kryesore, janë postime copy/paste të paverifikuara në portale të ndryshme. Gjatë përvojës time trevjeçare në këtë temë mund të them se narrativat pro-ruse dhe narrativat anti-BE nuk kanë shumë ndikim, por se po plasohet ideja se nuk do të bëhemi pjesë e BE-së. Narrativat anti-BE do të vazhdojnë të përhapen në Shqipëri, edhe pse njerëzit duan të jenë pjesë e BE-së”, tha Hala.
Siç tha ajo, në një anë i kemi BE-në, SHBA-në dhe NATO-n si djemtë e mirë, ndërsa në anën tjetër Rusia si djali i keq.
“Mendoj se ajo që po ndryshon pas Covid-it është përhapja e dezinformatave kundër BE-së dhe kundër NATO-s. Në mediat sociale ka shumë llogari dhe grupe që janë kundër vaksinimit ose përhapin dezinformata anti-Covid”, shtoi ajo.
Mosbesimi ndaj BE-së dhe problemet me mediat janë realitet në Serbi
Nikolla Petroviq, themelues dhe drejtor i ISAC, në prezantimin e tij në webinar theksoi se edhe pse është në dobi të Serbisë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, besimi i qytetarëve serbë në BE si organizatë është i ulët.
“Në katër vitet e fundit studimet e kanë pasqyruar situatën tonë aktuale politike dhe gjendjen në media. Është fakt se algoritmet e mediave sociale janë projektuar për një numër të madh përdoruesish dhe përparësia e tyre është fitimi i parave, jo verifikimi i informacionit”, tha ai.
Petroviq theksoi se ne i kushtojmë më shumë vëmendje narrativave negative sesa atyre pozitive dhe se ky fenomen mund të krahasohet me komunikacionin.
“Njerëzit që u japin makinave nuk ndalojnë për ta shijuar bukurinë dhe për t’i parë lulet përreth, por ndalojnë nëse ka ndonjë aksident ose rrezik në rrugë, gjë që e shpjegon mënyrën në të cilën mediat dhe rrjetet sociale i prezantojnë përmbajtjet”, tha ai.
Sipas tij narrativat anti-BE në Serbi mbështeten nga faktorë të jashtëm, si Kina dhe Rusia, por gjithashtu janë pjesë e një projekti të brendshëm që ka filluar që me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Ky projekt, për fat të keq, ka çuar deri në një përforcim të thellë të shovinizmit, një qasje negative dhe një rritje ekstreme të ksenofobisë në Serbi. Ne po përballemi me probleme reale dhe ky është një projekt qeveritar. Vëmendja e përqendruar tek përmbajtjet negative e rrit ndjeshmërinë e publikut ndaj narrativave anti-BE dhe e inkurajon polarizimin”, përfundoi ai.
Në Kosovë qytetarët mendojnë se BE-ja e favorizon Serbinë
Festim Rizanaj, hulumtues nga Hibrid Info, theksoi se problemi kryesor në Kosovë lidhet me negociatat me BE-në, me ç’rast narrativat përhapen nga llogari të dyshimta në mediat sociale.
“Ekziston bindja se politikat e BE-së në mënyrë disproporcionale e favorizojnë Serbinë. Në shënjestër është edhe pakica serbe dhe këto narrativa janë të pranishme edhe në emisione dhe debate televizive. Narrativat sensacionaliste të shpërndara përmes profileve të dyshimta në mediat sociale mund të ndikojnë në besimin e publikut në BE. Edhe pse shumica e qytetarëve mbeten fuqimisht pro-BE-së, polarizimi politik është i lartë”, tha Rizanaj.
Siç përcolli ai, partitë opozitare janë të mendimit se Qeveria është e dobët ndërsa është i mendimit se institucionet duhet të jenë më transparente kur marrin vendime.
“Narrativat sensacionaliste mund të ndikojnë ndjeshëm në opinionin publik. Përforcimi i transparencës dhe i edukimit mediatik është çelësi për adresimin e këtyre ndikimeve dhe rritjen e besimit në BE”, tha ai.
Narrativet anti-perëndimore në Serbi janë të dukshme përmes temave për çështjet gjinore
Anja Andxhushiq, media monitoruese RDN, theksoi se narrativat anti-perëndimore në Serbi janë veçanërisht të dukshme përmes temave për çështjet për komunitetin LGBTQI+ dhe ato gjinore.
“Kur tentuan ta miratojnë Ligjin për Barazinë Gjinore në Serbi, narrativat portretizuan se e gjithë ideologjia gjinore ishte kundër vlerave tradicionale dhe vinte nga Perëndimi. Përfaqësuesit që i përfaqësonin këto vlera gjithçka perceptonin si një sulm ndaj identitetit kombëtar”, tha ajo.
Anxhushiq tha se në hulumtimin e saj mbi gjuhën e urrejtjes në media këtë vit ka regjistruar përmbajtje plot urrejtje, të drejtuar ndaj politikanëve të opozitës, por edhe ndaj mbështetësve të qeverisë. Përmbajtjet, siç tha ajo, përhapen edhe përmes rrjeteve sociale, duke treguar, për shembull, migrantët në Suedi ose në BE me tekstin “Ja si duket Suedia”.
“Kjo kontribuon në intensifikimin e frikës dhe gjuhës së urrejtjes në raport me migracionin. Ka narrativa se Perëndimi dhe shërbimet sekrete po ndikojnë edhe te studentët në vendin tonë. Sidomos e pranishme është retorika që e promovon urrejtjen për migrantët dhe krijon një skenë publike të polarizuar”, tha ajo.
Sa i përket rregullimit të mediave në Serbi, Anxhushiq theksoi se vakumi institucional në Serbi e ndërlikon më tej rregullimin e tyre.
“Këshilli Rregullator, i cili merr vendime për mediat, ka dy vjet që nuk ekziston. Mandatet e anëtarëve të mëparshëm kanë mbaruar, ka pasur dy përpjekje të pasuksesshme për të formuar një këshill të ri. Jam sinqerisht e shqetësuar për situatën e medias në Serbi në vitet e ardhshme. Përforcimi i institucioneve dhe transparenca në rregullimin e medias janë çelësi për ta luftuar gjuhën e urrejtjes dhe narrativat anti-perëndimore në vend”, theksoi ajo.