Dijana Toska, Sulejman Rushiti dhe Akime N. Rexhepi flasin për vitin 2023: Përmendin njerëz, ngjarje e institucione të suksesshme

Portalb.mk përmes një pyetësori të thjeshtë do të sjellë personalitete të ndryshme që do veçojnë suksesin e tyre për këtë vit, ngjarjen ose personalitetet që mendojnë se kanë bërë diçka të veçantë, institucionin më të rëndësishëm, po ashtu dhe qytetin më aktiv. Na ndiqni ditët në vijim, derisa numërimi mbrapsht të fillojë. Për çka do ta mbajmë mend vitin 2023? Të përgjigjemi së bashku!

Dijana Toska
Dijana Toska

Dijana Toska drejtuese e Teatrit Shqiptar për Fëmijë dhe Të Rinj.
Çka konsideron si arritje personale?

Jam shumë e lumtur që këtë vit ne si  “Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe Të rinj” kemi arritur që të realizojmë tri premiera edhe atë, një për të rinj “Krokodili” nga Tom Basden në regji të Agon Miftarit me të cilën shfaqje u paraqitëm në festivale të ndryshme dhe në Ferizaj- fest morëm çmimin e parë.

Pastaj dy shfaqje për fëmijë “Pinoku” dhe “Kësulëkuqja” në kërkim të llambës së Aladinit me autor Dragana Nikolovska Lukan në regji të Ibër Dearit dhe “Me trotinet nëpër tërë botën” nga Millosh Andonovski, shfaqje këto të cilat bënë bujë tek artdashësit më të vegjël të teatrit. Po ashtu ri sjelljet të cilat i panë mbi 4000 fëmijë.

Njerëz që veçon për sivjet …Do doja që të veçoj shumë njerëz të artit por do të përqendrohem në dy persona Qëndrim Rijanin i cili me punën e tij ka lënë shumë gjurmë në teatër si regjisor si dhe të punësuarin në teatrin tonë Murat Zherkën i cili me bërjen e marketingut për Teatrin Shqiptar për Fëmijë dhe Të rinj ka bërë që të gjitha projektet tona të bëjnë jehonë dhe të arrijnë deri te fëmijët jo vetëm në Shkup por edhe jashtë qytetit.

Institucioni që veçon.. Teatri Shqiptar në bashkëpunim me teatrot nga Kosova dhe Shqipëria në organizimin e Festivalit ‘’Moisiu’’.

Arritje në shkencë… Afrim Osmani për arritje në shkencë dhe arsim të cilit edhe iu nda çmimi shtetëror 23 tetori.

Qyteti që veçon… Shkupi.

Urimi për fundvit…

Të jeni shëndetplotë, të keni sukses në shtegun që e keni zgjedhur në profesion dhe më e rëndësishmja t’i doni të afërmit tuaj dhe të kaloni sa më shumë kohë me ata, sepse asnjëherë nuk dihet se çfarë do të sjellë e nesërmja. Gëzuar festat e fund vitit!

***

Sulejman Rushiti
Sulejman Rushiti

Sulejman Rushiti si sukses personal e veçon drejtimin me Teatrit e Gostivarit, ngritjen në sasi dhe cilësi. Teatri sivjet pati pesë premiera të suksesshme. Bënë disa vizita dhe disa pjesëmarrje në festivale. Ndërsa në planin personal përmend realizimin e tri premierave brenda këtij viti.

Si njeri që veçon sivjet është Elmir Sejfullai, një për shfaqjen e realizuar në Teatrin e Gostivarit, dy për shfaqjen “Si të më kuptosh mua me autizëm” dhe sidomos për aktivizmin e tij në lidhje me pacientët me fibrozë cistike. Elmiri dëshmon se është artist aktiv dhe prind shembullor. Me këtë na nxit të gjithëve të jemi më humanë.

Institucioni që veçon: Me që nuk bën ta përmend Teatrin e Gostivarit, do ta përmend Fakultetin e Arteve pranë Universitetit të Tetovës. Ka patur paraqitje të mrekullueshme –  një sërë aktivitetesh. Duke filluar nga Ura me tri harqe në Prishtinë ku studentët u paraqitën në dritën më të mirë. Me këtë rast përgëzoj të gjithë stafin pedagogjik e në veçanti prof. Kushtrim Bekteshin, Prof. Nora Halimin, prof Jelldëz Asanin dhe sidomos dekanin Prof. Senad Abdulin.

Si arritje ne shkencë, mjekësi, teknologji: nga rrjetet sociale jam informuar për 33 inovacionet e Adem Ametit i cili është i lindur dhe rritur në qytetin e Tetovës, me origjinë nga fshati Gradec (Gostivar). Studimet baçelor i ka  kryer në Universitetin e Tetovës, dhe në Stamboll të Turqisë. Ai tani vazhdon studimet e ciklit të dytë (master). Pra, edhe këtu kemi storie suksesi. Vetëm duhet ta përkrahim kreativitetin.

Cilin qytet? Qytet edhe këtë vit prin Ferizaji. Me dinamikën. Qytet vibrant. Energjik. Me zhvillime të jashtëzakonshëm.

Cili grup? Edhe këtë vit kori i grave ‘’Teuta’’ nga Tetova. Po bëhen gati tradicional, në kuptimin e përvitshëm.

***

Akime Nasufi Rexhepi
Akime Nasufi Rexhepi

Akime Nasufi Rexhepi për suksesin personal thotë: Sukseset e mia për këtë vit në krahasim me vitet tjera ishin më në nivel, dhe lirisht mund te them se ishte një vit i mbarë për mua, shkaku që gjatë këtij viti prezantova veten time si artiste edhe jashtë shtetit tonë ,duke marrë pjesë nëpër ekspozita kolektive por dhe koloni e simpoziume artistike në Shqipëri, Kosovë e Turqi. Suksesi më i madh për mua këtë vit ishte edhe ekspozita ime personale qe u realizua në qytetin tim në Kumanovë gjatë muajit Qershor, ku më vonë e njëjta ekspozitë u ekspozua dhe në qytetin e Probishtipit në fund të muajit shtator, mikpritja dhe lëvdatat në këtë qytet nuk munguan, kështu që unë e llogaris veten se  këtë vit isha me shumë  fat të mbarë, ku nuk mungoi as suksesi, si duket.

Njerëzit qe do ti veçoja janë shumë, si duket vitin që lamë pas ka qenë vit shumë i mbare e me fat edhe për shumë artistë të tjerë në RMV e jo vetëm për mua, mund t’ia filloj prej sukseseve të profesorëve të mi :ekspozita e prof. Miftar Memetit në Vatikan, Reshat Ametit , Nevzat Kicës, Safet Spahijut, Bashkim Mexhitit  etj.

Sukseset e miqve të mi artistë: Burhan Ahmetit, Osman Demirit, Dali Alili, Verim Zendelit, ekspozitën e shoqes time Teuta Hoxha Imerit me grafikë, etj.

Si institucion  vlen ta theksojë Galerinë e qytetit të Shkupit, Çifte Hamamin me drejtoreshën Dita Starova Qerimin,  e cila sivjet besoj se ka organizuar mjaftueshëm aktivitete me artistë të ndryshëm nga të gjitha trevat. Vlen të përmendet aktiviteti me ekspozitën retrospektive të  prof. Nehat Beqirit  në Çifte Hamam.

Sa i përket arritjeve ne shkencë dhe në mjekësi: Shkencën Hënore dhe Planetare qe u raportua për një zbulim interesant që sipërfaqja e planetit të Mërkurit është e mbështjellë nga pluhur diamanti.

Për mjekësi: tre shkencëtaret e famshëm të teknologjisë nanoteknologji që morën edhe çmimin Nobel sivjet

Mesazhi im për fundvit është shumë i thjeshtë: ta duam dhe ta respektojmë njëri- tjetrin, për një botë më të bukur vetëm falni  buzëqeshje, reflektoni me dashuri  e shpirtmirësi, lehtësoni e mos vështirësoni, bëni gjerat me zemër e me vepra, e jo me fjalë, fjalën e merr era ndërsa vepra gjithmonë mbetet.