Dialogu me Sofjen vazhdon pavarësisht rastit me Iva Mihaillovën, Mucunski dhe Petrova-Çamova mund të takohen në dhjetor

Dialogu mes Shkupit zyrtar dhe Sofjes për gjetjen e një zgjidhjeje për kontestin që po pengon rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pavarësisht rastit me Iva Mihaillovën. Mihaillova, e cila ka shtetësi të dyfishtë, maqedonase dhe bullgare, në rrethana që ende nuk janë përcaktuar, u largua drejt Bullgarisë, ndonëse kishte ndalesë për ta lëshuar vendin për shkak të procesit gjyqësor që po zhvillohet kundër saj në Koçan, lidhur me një aksident trafiku me pasoja fatale, transmeton Portalb.mk.

Dialogu me Bullgarinë, të cilin ministrat e Jashtëm të të dy vendeve e nisën në fillim të tetorit të këtij viti, në margjinat e një ngjarjeje në Sofje, si dhe largimi i Mihailovës, ishin temat kryesore për të cilat gazetarët kërkuan përgjigje nga kryediplomati Timço Mucunski, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij sllovak, Juraj Blanar, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vend.

Duke iu referuar fillimisht rastit të Mihailovës, ministri Mucunski tha se në takimin me Blanarin kishin diskutuar se Maqedonia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pret që edhe vendet anëtare të Unionit t’i respektojnë standardet më të larta në lidhje me sundimin e ligjit.

Në këtë kontekst, Mucunski tha se është e papranueshme që një vend anëtar i BE-së të shndërrohet në strehë për persona të dënuar për vepra penale, siç është rasti me babanë e Iva Mihaillovës, ose për persona të dyshuar apo të akuzuar ndaj të cilëve zhvillohen procedura gjyqësore në vend.

Megjithatë, kryediplomati i Maqedonisë u tregua i rezervuar për komente të mëtejshme lidhur me këtë çështje, pasi, siç tha, nuk dëshiron të bëhet pjesë e fushatës politike për zgjedhjet presidenciale në Bullgari, raundi i dytë i të cilave është caktuar për të dielën, më 1 nëntor.

Sa i përket dialogut me Sofjen për kontestin, Mucunski tha se ai vazhdon dhe se, përveç bisedimeve dypalëshe me Sofjen, përfshin edhe komunikim aktiv me institucionet evropiane dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të Unionit që janë të interesuara të ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.

Në këtë kontekst, Mucunski përmendi takimin me ministrin francez për Evropën, Benjamin Haddad, javën e kaluar në Mal të Zi. Sipas tij, kjo çështje ishte një nga temat kryesore edhe në takimin me kryediplomatin sllovak, Blanar.

“Që të arrijmë çfarëdo zgjidhjeje për të cilën po punojmë me Bullgarinë, e cila hipotetikisht do të ishte në përputhje me qëndrimet tona dhe do të ishte e qëndrueshme, nevojitet konsensus nga të gjitha vendet anëtare. Prandaj, ka dialog me Bullgarinë, ka dialog me institucionet evropiane për këtë çështje dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe për dialogun me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, sepse sa i përket rrugës evropiane, ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër.

Sa i përket asaj që po bëjmë në kuadër të agjendës së brendshme për rrugën evropiane, para disa javësh dëgjuat vlerësimin e presidentes së Komisionit Evropian për reformat që po zbatojmë, i cili ishte pozitiv. Sot dëgjuat edhe konfirmimin nga ministri i Jashtëm i njërit prej vendeve anëtare të BE-së se në këtë shtet ka një qeveri stabile, sinqerisht të përkushtuar ndaj reformave evropiane, e cila i shfrytëzon maksimalisht mundësitë që kemi si shtet në këtë moment. Edhe nga ky këndvështrim, ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim”, tha Mucunski.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje shtesë, Mucunski deklaroi se për momentin nuk është planifikuar një takim i ri me ministren e Jashtme bullgare, Velislava Petrova-Çamova.

Megjithatë, siç shtoi ai, një takim mund të zhvillohet në margjinat e ndonjë prej takimeve ministrore të NATO-s dhe OSBE-së, të planifikuara për dhjetor të këtij viti. Gjithashtu, Mucunski tha se Maqedonia pret të jetë nikoqire e një takimi të Platformës për Bashkëpunim të Vendeve të Evropës Juglindore po në dhjetor, gjë që do të përbënte një tjetër mundësi për takim me Petrova-Çamovën.

Në takimin e ardhshëm, ai pret që me Petrova-Çamovën të diskutojnë si për rrugën evropiane të vendit, ashtu edhe për disa çështje që lidhen me sjelljen e Sofjes zyrtare, të cilat e shqetësojnë shtetin, jo vetëm si vend kandidat për anëtarësim në BE, por edhe si anëtar i barabartë i NATO-s.

“Por sot do të ndalem këtu, sepse nuk e kam për qëllim që deklarata ime të bëhet pjesë e fushatës politike në Bullgari. Le të presim që zgjedhjet atje të përfundojnë dhe demokracia të bëjë atë që di ta bëjë më së miri. Më pas, natyrisht, do ta vazhdojmë dialogun mbi bazën e qëndrimeve që qeveria jonë i mbron prej një periudhe të gjatë”, tha Mucunski.

Duke folur për dialogun me Bullgarinë, Mucunski tha se nuk ka asnjë garanci se do të arrihet një zgjidhje. Ai theksoi se qeveria maqedonase nuk është e gatshme të pranojë zgjidhje që vetëm përkohësisht do ta përmirësonin situatën, ndërsa në planin afatgjatë do ta çonin vendin sërish në të njëjtën gjendje ku ndodhet sot.

Sipas Mucunski, vendet anëtare të BE-së me të cilat autoritetet maqedonase komunikojnë lidhur me dialogun me Bullgarinë i respektojnë qëndrimet e vendit.

“Qëndrimet tona janë të qarta. Do të thosha se përshtypja ime është se ka respekt për qëndrimet tona, por nuk duhet të ndalemi. Duhet të vazhdojmë të punojmë në mënyrë aktive dhe ta shfrytëzojmë çdo mundësi për dialog”, tha ai.

Dialogu, siç shtoi Mucunski, është elementi kyç i diplomacisë dhe, nëse ai mungon, “nuk mund të arrijmë zgjidhje, qoftë në afat të shkurtër, të mesëm apo të gjatë”.

Kujtojmë se takimi në tetor midis ministrave të jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk solli ndonjë rezultat konkret sa i përket rrugës së RMV-së drejt Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm i vendit, Timço Mucunski tha se pozicionet e Shkupit dhe Sofjes mbeten dukshëm larg njëra-tjetrës, ndërsa nga Bullgaria njoftuan se i kanë kërkuar Maqedonisë së Veriut të tregojë se kur planifikon t’i bëjë ndryshimet kushtetuese.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.