Dështoi kapja e të dyshuarit për vrasjen e oficerit të ARM-së në RMV
Policia e Maqedonisë së Veriut në aksionin e mbrëmshëm nuk arriti ta kapë të dyshuarin për vrasjen e oficerit të ARM-së që ndodhu vitin e kaluar, raporton Portalb.mk.
Mbrëmë policia ka zhvilluar një aksion, duke bastisur disa objekte në fshatin Batincë të Shkupit, në përpjekje për të kapur një të dyshuar për vrasje, por pa sukses.
Edhe pse kishin informacione se ai gjendej në vendbanimin e tij në fshatin Batincë, nuk arritën ta arrestojnë.
“Nga marrja e mëparshme e informacioneve, shërbimet policore kompetente nga MPB gjatë ditës së djeshme, kanë vepruar në regjionin e Shkupit, me qëllim të privimit nga liria një person, për të cilin ka të lëshuar një fletëarrest vendor dhe një ndërkombëtar për vepra të rënda penale”, tha Goce Andreev, zëdhënës i MPB-së.
I dyshuari M.XH. dyshohet për vrasjen e oficerit të ARM-së A.M, 49 vjeç më 11 korrik 2025.
Aktivitet vazhdojnë me qëllim të gjetjes dhe të arrestimit të personit të dyshuar.