Deri në fund të vitit 2023, në Maqedoninë e Veriut pritet të zgjidhet problemi me qytetarët pa shtetësi

Në tryezën e organizuar sot në Shkup, ku mori pjesë edhe ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, u diskutua në lidhje me misionin e Maqedonisë së Veriut që deri në fund të këtij viti të zgjidh çështjen me qytetarët që nuk kanë shtetësi, transmeton Portalb.mk.

“Jam krenar që ne u bëmë shteti i parë në Evropë, si dhe shteti i dytë në botë, që me sukses e zgjidhëm problemin me personat e paregjistruar. Pres që deri në fund të vitit 2023 këta njerëz të marrin një identitet dhe më e rëndësishmja, ata më në fund do të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre të njeriut të garantuara me kushtetutë”, deklaroi ministri i drejtësisë, Krenar Lloga.

Ai theksoi që përmes regjistrimit, këta qytetarë do të mund të shfrytëzojnë të drejtën për arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.

Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të Misionit të OSBE-së dhe UNHCR-së në Shkup, ministrja për punë dhe politikë sociale dhe Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Qëllimi i këtij aktiviteti është trajnimi i administratorëve për zbatimin e ndryshimeve ligjore për të zgjidhur këtë problem.

“Maqedonia e Veriut është bërë lider në rajon si dhe në nivel global duke e bërë prioritet nacional për t’i dhënë fund pashtetësisë deri në fund të vitit 2023.” tha ambasadori i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl, duke vlerësuar që ky është një qëllim i arritshëm, për çka edhe japin mbështetje.

Ndryshe, sistemi jo konsistent i shkëmbimit të të dhënave të institucioneve, numri i madh i procedurave burokratike dhe ligjet e krijuara keq çuan në faktin që mbi 700 persona në vend nuk kanë shtetësi. Shpesh të quajtur në publik si persona “fantom”, këta persona nuk kanë pasur akses në të drejtat elementare të njeriut – sigurim shëndetësor, posedim të letërnjoftimit dhe përdorimin e ndihmës sociale deri në hapjen e llogarisë së transaksionit. Gotën e derdhi rasti i Memet Kamber, djalit 19-vjeçar i cili vdiq muajin e kaluar për shkak të diabetit të padiagnostikuar, pasi nuk kishte mundësi të merrte sigurim shëndetësor dhe fillimisht shkoi në spital kur gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dukshëm librezë shëndetësore të dikujt tjetër. Edhe pas vdekjes, djali nuk mund të varrosej pasi nuk kishte dokumente identiteti, kështu që procedura zgjati më shumë se tre javë.