Deri në fund të verës vendosen kamera që do të regjistrojnë shkeljet në rrugë dhe nëpër qytete, paralajmëroi Spasovski

Deri në fund të verës pritet të vendosen kamera në autostrada, rrugët e shpejta, por edhe në të gjitha qytetet, të cilat do të regjistrojnë kundërvajtje rrugore, njoftoi sot në Shtip, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, duke u përgjigjur në pyetjen e MIA-s nëse do të vendosen kamera në rrugë, sepse katër persona humbën jetën në dy aksidente të ndara trafiku në rajonin lindor në vetëm disa ditë.

“Sa i përket vendosjes së kamerave, që do të mundësojnë përfundimin praktik të kontrollit elektronik në këtë pjesë, jo vetëm në autostrada, por edhe në qytete, tashmë kemi nisur realizimin e gjithë atij projekti. Unë pres që diku nga fundi i kësaj vere të vendoset sistemi dhe të fillojnë kontrollet e atij lloji, që të mos neglizhohet mënyra ekzistuese e kontrollit të sigurisë në komunikacion. Përkundrazi, të gjithë do të përfshihemi shumë aktivisht në këtë pjesë”, thotë Spasovski.

Ministri i Punëve të Brendshme sqaroi se tërë projekti është i përgjithshëm për të mbuluar të gjitha pjesët.

“Po, po, të gjitha pjesët e vendit, pasi do të ketë pajisje fikse dhe celulare, që mund të zhvendosen në pjesë të ndryshme, jo vetëm në një rrugë kryesore, rajonale apo autostradë. Kështu që, ideja është të mbulohet sa më shumë territor i shtetit dhe sigurisht më tej të kemi mundësi ta zgjerojmë dhe ta shfrytëzojmë atë projekt. Është me rëndësi që në këtë mënyrë, jo vetëm në sferën e komunikacionit, por edhe në atë të sigurisë publike, të kemi mundësi më të mëdha për të pasur sukses më të madh në efikasitetin e operimit”, thotë Spasovski.

Ai theksoi se sa i përket kontrolleve në komunikacion, ato kontrolle janë shtuar disa herë gjatë gjithë këtyre viteve, duke filluar nga viti 2017 e deri sot dhe rezultatet e arritura janë të dukshme.

“Për shembull, sot jam informuar nga kolegët nga SPB Shtip, në zonën e SPB Shtip kemi të njëjtin numër të testeve të alkoolit si vitin e kaluar. Megjithatë, shoferët të cilët ishin nën ndikimin e alkoolit ishin shumë më pak këtë vit se sa një vit më parë. Kjo tregon se masat po japin rezultate dhe nuk duhet të ndalemi me kaq, por përkundrazi, ato kontrolle duhet të intensifikohen edhe më shumë”, theksoi Spasovski.