Deri më tani janë regjistruar 34 raste me kollën, prindërit të vaksinojnë fëmijët, alarmoi ministri Demiri

Në shtet deri më tani janë regjistruar 34 raste me kollën e madhe, prindërit të vaksinojnë fëmijët e tyre, apeloi sot ministri i ri i shëndetësisë, Ilir Demiri. Ai raportoi që në Qendrën për shëndetin publik tashmë kanë votuar epideminë në nivel të qytetit të Shkupit, me propozim të Komisionit për sëmundje ngjitëse, transmeton Portalb.mk.

Demiri theksoi që vaksinimi është arritja më e madhe e deritanishme në sistemin shëndetësor.

“Nga Qendra për shëndetin publik në Shkup, u shpall epidemia. Momentalisht në nivel të shtetit ka 34 raste të infektimit me pertusis. Unë do të shfrytëzoj këtë mundësi që t’i drejtohen edhe një herë gjithë qytetarëve, veçanërisht prindërve që kanë fëmijë të vegjël – arritja më e madhe në sistemin shëndetësor është vaksinimi, për atë i lutem të gjithëve të vaksinojnë fëmijët e tyre. Të gjithë fëmijët duhet fillimisht të vaksinohen, pastaj të shkojnë në çerdhe. Ajo ishte edhe propozim edhe i anëtarëve të Komisionit për sëmundje ngjitëse”, deklaroi Demiri.

Edhe epidemiologët javën e kaluar rekomanduan që fëmijët nuk duhet të shkojnë në çerdhe të pavaksinuar, nëse dëshirojmë që të mos ndodhë epidemia e sëmundjes që është e rrezikshme për shëndetin dhe jetën e më të vegjëlve dhe të rriturve.

Prej kollës së keqe, qytetarët mund të mbrohen vetëm përmes vaksinës DiTePer, që pranohet pesë herë gjatë jetës, në moshën e fëmijërisë.

Rivaksinimi i parë me DiTePer duke filluar nga viti 2015, ka regjistruar rënie të pranimit duke arritur nivelin më të ulët në vitin 2020, vetëm 66 %. Në vitin 2022 pati 69.3 %, ndërsa në vitin 2021 72.8 %. Mesatarja e periudhës 2017-2021 arriti 78.1 % dhe është më e madhe sesa ajo e vitit 2022.

Përfshirja e rivaksinimit me DiTePER/IPV te nxënësit 7 vjeç arriti 88.5 %, duke shënuar rritje në krahasim me vitin 2020 (87.3 %) dhe vitin 2021 (74.7 %). Rivaksinimi te nxënësit 14 vjeç (89.3 %) shënoi rritje në krahasim me vitin 2020 (80.3 %) dhe vitin 2021 (85.9 %), por akoma është nën 90 %.

Më 2 shkurt, Komisioni për sëmundje infektive ka mbajtur mbledhje të rregullt në të cilën është diskutuar për gjendjen aktuale me infeksionet virale, akute-respiratore dhe kollën e madhe, duke propozuar shpalljen e epidemisë në qytetin e Shkupit. Për tejkalimin e kësaj gjendje, Komisioni kishte rekomanduar disa masa për mbrojtjen e qytetarëve nga kjo sëmundje, duke theksuar nevojën për vaksinim.

Kujtojmë se shenjat e para të kollës së madhe janë të ngjashme me ftohjen, si rrjedhje hundësh dhe dhimbje fyti. Rreth një javë më pas, personi mund të ketë sulme të kollës që janë aq të rënda sa që lëshojnë një tingull të lartë midis kollitjeve ndërsa përpiqen të marrin frymë.