Deri më 22 qershor do të zgjasë afati ligjor për paraqitjen e vërejtjeve në lidhje me lejen e USJE-s
Debati rreth asaj se a duhet të jepet leja për punë të fabrikës USJE, Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, përkujtoi që akoma ka afat për paraqitjen e vërejtjeve, transmeton Portalb.mk.
“Afati ligjor për paraqitjen e vërejtjeve zgjat deri më 22 qershor. Në javën e parë të korrikut do të mbahet dëgjim publik në territorin e Komunës së Kisella Vodës, ku ndodhet edhe fabrika. Për transparencë të plotë, Ministria do ta publikojë publikisht të gjithë procesverbalin”, deklaroi Hoxha.
Ministri paralajmëro se leja për USJE-n do të jetë sipas standardeve të reja, duke i vlerësuar si standarde më të rrepta mjedisore.
„Me kërkesë të Ministrisë së Mjedisit, USJE që tani do të zbatojë standardet më të reja dhe më të rrepta mjedisore, ndonëse ligji i ri për emetimet industriale hyn në fuqi vetëm në shtator të vitit 2027. E njëjta gjë do të vlejë për të gjithë operatorët që posedojnë Leje të Integruar Ekologjike të kategorisë A”, theksoi Hoxha.
Ndyshe, për 23 qershor 2026, me fillim në orën 18:00, është paralajmëruar marsh protestues në lidhje me lejen për fabrikën USJE.
Kujtojmë se Inspektorati Shtetëror i Mjedisit (ISHM) ndërpreu praktikën e publikimit të raporteve javore mbi inspektimet e kryera, pa shpjegim publik dhe pa njoftim paraprak. Stop Usjes tha se deri në mars të vitit 2026, ISHM publikonte rregullisht raporte përmes të cilave publiku mund të fitonte njohuri mbi punën e shërbimeve të inspektimit, gjegjësisht ku kryhen kontrolle, cilat subjekte inspektohen dhe nëse janë identifikuar parregullsi.
Kjo praktikë, siç thuhej në njoftimin e iniciativës, nuk ishte planifikuar të hiqet në Planet Vjetore të Punës së institucionit për vitin 2024 dhe 2025, ku transparenca është renditur si një nga parimet themelore.
Fillimisht inspektorati tha se “Raportet javore nuk ishin detyrim ligjor dhe për këtë arsye ato nuk do të publikohen më”, ndërsa më pas, pas presionit publik, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, tha se raportet do të vazhdojnë të publikohen.