Më 23 qershor në Shkup marsh për ajër të pastër: “Stop Usjes”: TITAN Usje kërkon vazhdimin e ndotjes me standarde të vjetruara

Ndërsa qytetarët presin ajër më të pastër dhe përafrim me standardet evropiane, fabrika e çimentos TITAN Usje kërkon rinovimin e lejes së saj A-integruese ekologjike pa asnjë ndryshim në krahasim me lejen e vitit 2020. Në vend të kushteve më të rrepta dhe uljes së ndotjes, kompania kërkon të vazhdojë punën me vlera kufitare të emisioneve që janë në fuqi që nga viti 2007 dhe që nuk janë të harmonizuara me Teknikat më të mira të sisponueshme (NDT) të Bashkimit Evropian, thuhet në reagimin e Stop Usjes, transmeton Portalb.mk.

“Programi për përmirësim nuk përmban asnjë masë detyruese për uljen e emisioneve nga burimet stacionare, ndërsa propozimet e shoqërisë civile për kufij më të rreptë, të harmonizuar me NDT, janë injoruar plotësisht. Veçanërisht shqetësues është kërkesa për vlerë kufitare të oksideve të azotit (NOx) prej 800 mg/Nm³, që është pothuajse dy herë mbi maksimumin evropian prej 450 mg/Nm³. Për më tepër, të dhënat e publikuara vetë nga kompania tregojnë emetime mbi 500 mg/Nm³, gjë që konfirmon se ndotja nuk është hipotetike, por reale dhe aktuale!”, thonë nga iniciativa qytetare Stop Usjes.

Edhe më shqetësuese, sipas tyre, është fakti që Ministria e Mjedisit kishte mundësinë të kërkonte plotësime dhe të vendoste kushte më të rrepta, por në dokumentin e publikuar nuk ka indikacione se kjo është bërë.

“Me një kërkesë të tillë, Usje praktikisht kërkon të vazhdojë të “helmojë” qytetarët e Shkupit me standarde të vjetruara që nuk përputhen me normat evropiane. Ministria nuk duhet të miratojë një leje të pa harmonizuar dhe të paligjshme. Në vend të kësaj, duhet të përfshijë propozimet e shoqërisë civile dhe të sigurojë harmonizim me teknikat më të mira të disponueshme, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe cilësinë e ajrit në Shkup”, thuhet në reagim.

Me këtë rast, më 23 qershor 2026, me fillim në orën 18:00, iniciativa bën thirrje për marshim – nga Kuvendi deri te Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, sepse siç shtojnë ata, qytetarët presin përgjegjësi dhe një vendim të qartë: të ndërpritet praktika e tolerimit të vlerave kufitare të vjetruara dhe të vendosen standarde moderne për ajër të pastër.

“Eja në marsh dhe kërko standarde evropiane – sepse ajri nuk pastrohet vetë! Gjithashtu, edhe një herë i ftojmë të gjithë qytetarët, punonjësit shëndetësorë, shkencëtarët, profesorët, ekspertët dhe organizatat të përfshihen në debatin publik dhe të dorëzojnë vërejtje me shkrim në MMPH më së voni deri më 26 qershor 2026”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Inspektorati Shtetëror i Mjedisit (ISHM) ndërpreu praktikën e publikimit të raporteve javore mbi inspektimet e kryera, pa shpjegim publik dhe pa njoftim paraprak. Stop Usjes tha se deri në mars të vitit 2026, ISHM publikonte rregullisht raporte përmes të cilave publiku mund të fitonte njohuri mbi punën e shërbimeve të inspektimit, gjegjësisht ku kryhen kontrolle, cilat subjekte inspektohen dhe nëse janë identifikuar parregullsi.

Kjo praktikë, siç thuhej në njoftimin e iniciativës, nuk ishte planifikuar të hiqet në Planet Vjetore të Punës së institucionit për vitin 2024 dhe 2025, ku transparenca është renditur si një nga parimet themelore.

Fillimisht inspektorati tha se “Raportet javore nuk ishin detyrim ligjor dhe për këtë arsye ato nuk do të publikohen më”, ndërsa më pas, pas presionit publik, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, tha se raportet do të vazhdojnë të publikohen.