Deri më 11 janar nxënësit e Maqedonisë së Veriut do të mund të aplikojnë për bursa në paralele duale

Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar që prej nesër deri më 11 janar do të jetë e hapur mundësia për të aplikuar në Konkursin për 500 bursa për nxënësit e arsimit dual, transmeton Portalb.mk.

“500 (pesëqind) bursave për nxënësit të cilët do të regjistrohen në paralelet e arsimit profesional në të cilat do të realizohet mësimi praktik me numër të shtuar të orëve sipas programeve për arsim profesional në profesionin shëndetësor (PARALELET DUALE NGA PROFESIONIN SHËNDETËSOR) për vitin shkollor 2023/2024”, njoftoi Ministria.

Vlera e bursës është 3 500 denarë, ndërsa shpërndarja e tyre do të behet gjatë nëntë muajve të vitit shkollor 2023/24.

“Nëse ka më shumë kandidatë me të njëjtin numër pikësh, përparësi kanë kandidatët e regjistruar në një vit më të lartë”, sqaroi Ministria.

Nxënësit duhet të jenë shtetas të RMV-së, të rregullt në shkollat e mesme, me sukses jo më të vogël se 3.00, të mos kenë përsëritur dhe të mos jenë shfrytëzues të ndonjë burse tjetër.

“Lista e kandidatëve të përzgjedhur do të publikohet në ueb-faqen e Ministrisë jo më vonë se gjashtëdhjetë ditë pas përfundimit të konkursit”, sqaroi Ministria.

Aplikimi duhet të bëhet në formë elektronike në adresën http://e-uslugi.mon.gov.mk.