Derexheja dhe fati i këngës sonë folklorike shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Kënga folklorike është një formë e pasur dhe e thellë shprehjeje shpirtërore, që përfaqëson historinë, traditën dhe identitetin e një populli. Kjo është e vërtetë edhe për këngën folklorike dyzërëshe (bifonike e polifonike) të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, e cila ka ruajtur karakteristikat e saj unike për shekuj me radhë dhe, që na fton të kuptojmë më thellë natyrën dhe rëndësinë e saj në jetën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, si një element i pazëvendësueshëm i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të këtij populli.
Kënga folklorike nuk është thjesht një melodi që përsëritet, një fjalë që këndohet apo një mesazh që përçohet; ajo është një pasqyrë e shpirtit të një populli; jeta dhe historia e një populli. Historia e një kombi nuk mund të ndërtohet vetëm mbi dokumente dhe kronika, por ajo mbijeton dhe merr jetë përmes këngëve që kalojnë nga brezi në brez. Në këtë kontekst, kënga folklorike e shqiptarëve të Maqedonisë është një kujtesë e gjallë e ngjarjeve të shkuara, e gëzimeve dhe halleve që kanë shoqëruar jetën e njerëzve në të; ajo është një nyje që lidh të shkuarën me të tashmen dhe, përmes melodive dhe përmbajtjeve të saj, përcjell mësime dhe kujtime të pasura.
Një karakteristikë e dallueshme e këngës folklorike të shqiptarëve të Maqedonisë është lidhja e saj e ngushtë me natyrën dhe veglat muzikore tradicionale. Përdorimi i instrumenteve të ndryshme si fyelli, kavalli, buria, okarina, lahuta dhe daullja, e bëjnë këngën më të veçantë dhe autentike. Këto vegla muzikore nuk janë thjesht mjete për të krijuar muzikë, por ato përfaqësojnë lidhjen e ngushtë mes njeriut dhe natyrës, mes kulturës dhe traditës. Këto vegla janë prodhuar nga materialet e natyrës dhe janë ndërtuar me duar të afta të mjeshtrave të pasionuar, duke përçuar më tej një histori që është më shumë se një melodi: është një pasuri kulturore që ka qëndruar dhe ka evoluar nëpër breza të tërë. Ndaj, kjo kënga folklorike e shqiptarëve të Maqedonisë është e pasuruar dhe është transformuar me kalimin e kohës, duke përfshirë ndikime të ndryshme nga nga brezi në brez dhe nga njëra kulturë te tjetra. Ndikimi i kulturës bizantine dhe më vonë ai i periudhës osmane, ka ndikuar edhe në përsosjen e veglave muzikore të reja, si çiftelia, sharkia, karadyzeni etj. Ky fakt ka sjellë gjithashtu edhe forma të reja të të kënduarit dhe të krijimit të muzikës, të cilat kanë hyrë në harmoni me stilin dhe teknikat tradicionale, duke krijuar një fuzion unik që është tipik për këtë rajon. Megjithatë, edhe me këto ndikime të jashtme, thelbi i këngës folklorike dyzërëshe mbetet i pandryshuar, dhe ajo vazhdon të pasqyrojë thelbin e traditës dhe historisë së popullit shqiptar në trojet tona etnike.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këngës folklorike është tematika e saj. Ajo nuk është thjesht një shprehje e gëzimeve, por, gjithashtu, edhe e halleve dhe dramave të popullit. Kënga folklorike trajton një gamë të gjerë temash, nga dashuria dhe gëzimi deri te tragjeditë dhe luftërat që kanë shoqëruar historinë e këtij populli. Kjo është një nga arsyet apodiktive pse kënga folklorike është një pasuri kaq e vyer për popullin shqiptar, sepse, ajo ruan kujtimet dhe pasionet e të parëve, dhe është një lidhje e drejtpërdrejtë me atë që ka ndodhur. Kur dikush dëgjon një këngë tradicionale, sheh dhe kupton qartë se, ajo mund të përçojë jo vetëm një melodi, por një histori të tërë, një rrëfim që është shumë më tepër se sa një tekst i thjeshtë poetik.
Duke u zhvendosur në aspektin shoqëror, kënga folklorike e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në organizimin e jetës shoqërore dhe kulturore. Në vitet e fundit, pas Luftës së Dytë Botërore, shoqëria ka formuar shoqata muzikore dhe grupe kulturo-artistike që kultivojnë këngën tradicionale, duke krijuar mundësi për shprehjen e këtij thesari në mënyrë më të organizuar. Kjo ka çuar në krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme për promovimin e muzikës tradicionale shqiptare dhe, gjithashtu, ka siguruar që kjo pasuri të ruhet dhe të kalojë te brezat e ardhshëm, por që, në dekadën e tretë të këtij mileniumi, për fat të keq, përveç formimit të partive të shumta politike me degë dhe nëndegë të panumërta, me mori forumesh, aktivesh e klubesh (që më tepër aktrojnë se bëjnë politikë), folklori, kultivimi dhe institucionalizimi i tij, ka mbetur për të dëshiruar.
Duke pasur parasysh këto parametra, mund të përfundojmë se, kënga folklorike e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut – si një pasuri e madhe kulturore, një histori e gjallë e popullit shqiptar, dhe një shprehje e thellë e shpirtit të tij që ruan elemente të lashta dhe të çmuara, ndaj, është koha e fundit që, kjo vlerë të vëhet në binarë të organizimit sistematik institucional. Nëse duam ta ruajmë këtë pasuri dhe ta transmetojmë tek brezat e ardhshëm, është e domosdoshme që ta njohim dhe ta respektojmë atë si një pjesë të rëndësishme të identitetit tonë kulturor dhe shpirtëror.