Demokratët protestë në mbështetje të Berishës, ish-Kryeministri i përshëndeti nga dritarja

Përpara se Gjykata e Posaçme të jepte për të vendimin arrest shtëpie, Sali Berisha u përbetua në mënyrë të përsëritur se nuk do t’ja delegonte askujt drejtimin e opozitës dhe sikur të burgosej në qelinë më të errët, raporton Klan.

E në fakt këtë të martë ka treguar se do të vazhdojë ta drejtojë forcën që themeloi qoftë dhe nga dritarja e shtëpisë së tij. Pikërisht nga kjo dritare ai ka përshëndetur mbështetësit e tij që kishin bllokuar rrugën poshtë apartamentit të liderit të tyre për të shprehur kundërshtimin për vendimin e gjykatës.

Për t’i falenderuar për mbështetjen e tyre u kujdes e bija e kryedemokratit, Argita Berisha, që e cilëson këtë protestë fillimin e betejës me pushtetin, që është e bindur që do të shtrihet në të gjithë vendin e që demokratët do ta fitojnë.

Të nisësh Vitin e ri me një sfidë të tillë, është e vështirë dhe shumë motivuese. Do të fitojmë padiskutim. Asnjë diktator nuk i përballet dot, shpirtit tuaj të lirë. Nuk ka pranga sistemi që mund të burgosin lirinë tuaj. Ju jeni misionarët e kësaj lufte, që nga kjo rrugicë, do të shtrihet në të gjithë rrugët dhe rrugicat e Shqipërisë”.

Të shumtë mes protestuesve ishin dhe deputetët e Partisë Demokratike, të cilët shprehen të vendosur për të vijuar protestat si në rrugë ashtu dhe në Parlament.