Delvina Kërlukut iu nda çmimi shtetëror “Mito Haxhi Vasilev-Jasmin”

Delvina Kërluku është fituese e çmimit shtetëror “Mito Haxhi Vasilev-Jasmin” për vitin 2024 për të arriturat në fushën e publicistikës dhe gazetarisë me interes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Për arritje në fushën e publicistikës, çmimi shtetëror i’u nda edhe publicistit Ivan Antonovskit.

Çmimin shtetëror për arritje në fushën e gazetarisë i’u nda gazetarëve Atanas Kostovskit dhe Ljupço Jolevskit.

Delvina Kërluku për Portalb.mk tha se këtë çmim e konsideron si medalje të madhe, që e shquajnë për stilin e shkrimit.

“Ky nderim dëshmon njohjen e punës sime të palodhur dhe ndikimin që kam në shoqëri përmes publicistikës, duke pasur ndikim në krijimin e një audience të informuar dhe të angazhuar. Çmimi mund të jetë gjithashtu një frymëzim për vazhdimin e punës dhe për t’i dhënë më shumë kuptim dhe ndikim përpjekjeve të mia. Prandaj, ky çmim ka një vlerë të madhe jo vetëm për mua si individ, por edhe për të gjithë ata që e ndjekin dhe i mbështesin idetë dhe veprimtarinë time”, tha Kërluku.

Fotografi nga ndarja e çmimit shtetëror “Mito Haxhi Vasilev-Jasmin”. Foto: Portalb.mk
Fotografi nga ndarja e çmimit shtetëror “Mito Haxhi Vasilev-Jasmin”. Foto: Portalb.mk

Kërluku shtoi se ky çmim mund të jetë gjithashtu një frymëzim për vazhdimin e punës dhe për t’i dhënë më shumë kuptim dhe ndikim përpjekjeve të saja.

“Çmimi mund të shërbejë si një burim i fuqishëm frymëzimi për vazhdimin e punës sime. Pavarësisht se çmimi mund të jetë një njohje për arritjet e kaluara, ai gjithashtu mund të ofrojë një motivim të ri për t’u përpjekur më shumë dhe për të çuar punën time në nivele të reja”, tha Kërluku.

Delvina Kërluku foli edhe në emër të të gjithë fituesve ku ndër të tjera tha se datat në kalendarin jetësor të një njeriu, si kjo e sotmja janë të rralla.

“Të marrësh çmim shtetëror në një konkurencë të konsiderueshme nuk është gjë e pakët. Prandaj, unë dhe kolegët e mi laureatë sot ndjehemi dhe jemi shumë të nderuar dhe të lumtur”, tha Kërluku.

Kujtojmë se Kadrije Zejnullahu, ka qenë gazetarja e parë shqiptare e cila në vitin 2008 mori çmimin për publicistikë “Mito Haxhi Vasiliev – Jasmin” të Republikës së Maqedonisë së Veriut.