Delegacioni i BE-së shënoi 4 vjetorin e pushtimit rus të Ukrainës me shfaqjen e një dokumentari
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut shënoi përvjetorin e katërt të pushtimit të plotë rus të Ukrainës me një shfaqje speciale të filmit dokumentar “Lufta e Porcelanit” më 24 shkurt në Kinemanë Frosina në Qendrën Kulturore Rinore në Shkup. Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, riafirmoi mbështetjen e fortë të BE-së për Ukrainën dhe popullin e saj, duke mbrojtur një zgjidhje të pranueshme për paqen, transmeton Portalb.mk.
Ai vuri në dukje se BE gjithashtu vlerëson mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, të shprehur përmes pjesëmarrjes së zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Çështjet Evropiane Bekim Sali në përkujtimoren në Kiev.
Eventi ishte pjesë e një serie globale iniciativash të koordinuara nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) për të shënuar luftën ruse të agresionit kundër Ukrainës dhe për të riafirmuar mbështetjen për sovranitetin, paqen dhe solidaritetin ukrainas. I organizuar në kuadër të “#TeamEurope”, në shfaqje morën pjesë përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, misioneve diplomatike dhe partnerëve.
Shfaqja u plotësua nga një tekst i përbashkët i botuar nga ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, dhe ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Larisa Dir.
Duke iu referuar ngjarjeve aktuale, ambasadorët paralajmërojnë se “paqja pa përgjegjësi është një iluzion. Paqja e ndërtuar mbi pandëshkueshmërinë nuk është paqe. Është një pauzë para sulmit të ardhshëm.” Duke theksuar se Evropa ka mësuar mësimin historik se “çdo herë që agresioni shpërblehet me heshtje ose lëshime, ai kthehet me forcë më të madhe”.
Ambasadorët riafirmojnë mbështetjen e vazhdueshme politike, humanitare, ekonomike dhe ushtarake të Bashkimit Evropian për Ukrainën dhe theksojnë rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit.
Dokumentari “Lufta e Porcelanit” fitoi Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Filmit Sundance 2024 dhe u nominua për Oscar për Dokumentarin më të Mirë. Filmi dëshmon për rezistencën kulturore dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë civile në kohë lufte përmes historive personale të artistëve ukrainas që luftojnë kundër agresionit rus.
Duke organizuar shfaqjen në Shkup, Delegacioni i BE-së dërgoi një mesazh se pasojat e luftës ndihen përtej kufijve të Ukrainës dhe se solidariteti evropian mbetet thelbësor për ruajtjen e paqes, vlerave demokratike dhe të drejtës ndërkombëtare.
Përndryshe këtë vit janë mbushur katër vjet që kur Putini filloi ofensivën e tij në Ukrainë.