Deklarata e Zelenskyt për Kosovën, reagon Shqipëria: Nuk ka asnjë paralelizëm me Ukrainën

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së tij në Beograd, ku theksoi se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, transmeton Euro News Albania.

Në reagimin e saj, Shqipëria rithekson mbështetjen e saj si për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ashtu edhe për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

MEPJ thekson se nuk duhet të krijohet asnjë paralelizëm mes Kosovës dhe situatës në Ukrainë, duke e cilësuar një qasje të tillë si të gabuar dhe mashtruese.

“Çdo përpjekje për të bërë një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht mashtruese”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

Ndërsa për Ukrainën, Ministria e Jashtme shqiptare e cilëson agresionin rus si një çështje krejtësisht të ndryshme, duke e konsideruar atë shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Në deklaratë, MEPJ shprehet se një Ballkan Perëndimor paqësor, i qëndrueshëm dhe evropian kërkon pranimin e realitetit dhe të pakthyeshmërisë së pavarësisë së Kosovës.