Daçiq thotë se në Horgosh u ndalua një i dyshuar për krime lufte
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se në pikëkalimin kufitar mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, është arrestuar një person me inicialet M.I., nën dyshimet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile, në qershor të vitit 1999 në Prishtinë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme serbe, Daçiq ka pretenduar se i ndaluari, së bashku me disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka kryer krime lufte përmes përdorimit të forcës fizike, armëve dhe kërcënimeve ndaj banorëve të nacionalitetit serb, të cilët, sipas tij, janë dërguar më pas nëpër burgje të improvizuar dhe janë maltretuar.
Me urdhër të Zyrës së Prokurorit, është thënë se i ndaluari do të jetë për 48 orë në mbajtje.
Daçiq ka thënë se për shkak të hetimeve që po kryhen, nuk mund të japë më shumë hollësi.
Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Ministrinë e Jashtme të Kosovës dhe Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, për të kuptuar nëse bëhet fjalë për ndonjë shtetas të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.
Në të kaluarën janë arrestuar disa herë shtetas të Kosovës, nën pretendime të tilla.
Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë këto ndalime si arbitrare dhe të padrejta dhe kërkojnë ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.
Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.