Çizmja e gjetur në Malin Everest mund t’i përkasë alpinistit britanik të zhdukur 100 vjet më parë

Një çizme e gjetur nga ekipi dokumentar i “National Geographic” në Malin Everest mund t’i ketë përkitur alpinistit britanik Andrew Comyn Irvine, i cili u zhduk teksa ngjitej në majë 100 vjet më parë, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate në faqen e internetit të National Geographic, ekipi i dokumentarit ka hasur në një çizme ndërsa gjendej në akullnajën Rongbuk në veri të Malit Everest në shtator.

Ekipi ka ekzaminuar nga afër çizmen që është shfaqur pas shkrirjes së akullit dhe ka parë se brenda gjendej një këmbë dhe një çorape leshi. Ata mendojnë se mbetjet mund t’i përkasin alpinistit Irvine, me nofkën “Sandy”, i cili u zhduk duke u ngjitur në majën e Everestit me shokun e tij George Mallory 100 vjet më parë.

Fotografi dhe drejtori i National Geographic, Jimmy Chin, i cili ka bërë zbulimin, ka thënë: “Unë ngrita çorapin brenda çizmes. Kishte një etiketë emri mbi të që thoshte “A.C. IRVINE”.

Duke e përshkruar këtë gjetje si “provën e parë reale” që do të ndihmojë të kuptohet se çfarë ndodhi me alpinistin e zhdukur Irvine, Chin ka theksuar se kjo është shumë e rëndësishme edhe për të afërmit e tij, të cilët nuk e kanë ditur se çfarë ka ndodhur me Irvine për një shekull.

Familja e Irvine ka dhënë një mostër të ADN-së për të zbuluar nëse këmba e gjetur i përkiste vërtet alpinistit.

Zhdukja e alpinistit britanik Irvine dhe mikut të tij Mallory gjatë ngjitjes në majën e Malit Everest konsiderohet si një nga misteret më të mëdha në historinë e alpinizmit. Dyshja, të cilët u panë për herë të fundit më 8 qershor 1924, bënë histori si njerëzit e parë që u përpoqën të arrinin majën e Everestit.

Ndërsa eshtrat e Malloryt u gjetën në vitin 1999, aparati fotografik që dyshja mbante me vete, e cila mund të kishte zbuluar nëse ata kishin arritur majën, nuk u gjet kurrë.