Cili ishte roli i Rusisë në krizën me migrantë në Ceuta?
Pamjet e mijëra migrantëve që arritën në enklavën spanjolle të Ceutës në Afrikën Veriore në fund të korrikut tronditën Bashkimin Evropian, i cili tashmë kishte nisur pushimet verore njëmujore, duke e vënë atë në lëvizje, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ambasadorët e BE-së u kthyen nga pushimet për një takim online më 3 gusht, për t’u përgatitur për një tjetër takim online të 27 ministrave të Brendshëm të bllokut, një ditë më vonë. Deri atëherë, kriza ishte shmangur në masë të madhe, pasi Spanja, e cila fillimisht ishte kritikuar ashpër nga shtetet e tjera anëtare, kishte thirrur përforcime dhe tha se kishte kthyer mbrapsht tashmë rreth 70.000 nga 72.000 personat që kishin hyrë në Ceuta. Gati 90 persona vdiqën në kaosin që përfshiu rojen bregdetare spanjolle.
Mendohet se asnjë prej migrantëve nuk arriti në Evropën kontinentale. Ndërsa Ceuta, së bashku me enklavën tjetër spanjolle, Melilla, janë zyrtarisht pjesë e zonës pa pasaporta Shengen të BE-së, të dyja kanë rregulla të veçanta që përcaktojnë se kontrollet e identitetit duhet të kryhen kur udhëtohet prej tyre drejt destinacioneve në Evropën kontinentale. Kjo e bën pothuajse të pamundur hipjen në tragetet që kalojnë ngushticën e Gjibraltarit.
Rrjeti i trafikimit
Atëherë, çfarë apo kush qëndronte pas fluksit të madh të migrantëve? Në deklaratën e tyre të përbashkët, të lëshuar pas takimit të fillimit të gushtit, ministrat e Brendshëm të bllokut fajësuan “rrjetet e trafikimit të migrantëve” dhe lanë të kuptohej gjithashtu se BE-ja duhet të përmirësojë “ndërgjegjësimin e përbashkët për situatën, gjë që mund të arrihet përmes zhvillimit të mëtejshëm të sistemeve të paralajmërimit të hershëm, si inteligjenca para mbërritjes në kufi dhe monitorimi i rrjeteve sociale”. Para se migrantët të fillonin të mbërrinin në Ceuta, në internet u përhapën thashetheme se Spanja do t’i priste njerëzit krahëhapur.