Maqedonia e Veriut me mungesë serioze të infermierëve

Repartet spitalore në Maqedoninë e Veriut ku zhvillohet beteja më e vështirë për jetën e pacientëve po përballen me mungesë serioze të infermierëve, raporton Portalb.mk.

Pikërisht në repartet e kujdesit intensiv dhe reanimacionit, ku çdo sekondë do të thotë jetë, po mbetet gjithnjë e më pak staf, ndërsa presioni rritet.

Nga Shoqata e infermierëve të anestezisë, reanimacionit dhe kujdesit intensiv thonë se gjendja po bëhet gjithnjë e më shqetësuese.

Kryetarja e Shoqatës të infermierëve të anestezisë, reanimacionit dhe kujdesit intensiv, Julijana Kazanxhiska, thotë se numri i infermierëve është i vogël.

“Duhet të jetë një pacient një infermier, ndërsa te ne realisht në këtë situatë kemi katër deri në pesë pacientë për një infermier. Kjo është shqetësuese dhe alarmante, sepse bëhet fjalë për pacientë që janë nën monitorim 24-orësh dhe duhet të gjejmë zgjidhje”, tha Kazanxhiska.

Ajo thekson se infermierët në kujdes intensiv duhet të kenë edhe specializim që do të njihet nga sistemi shëndetësor.

Shoqata paralajmëron se autoritetet shëndetësore duhet të aktivizojnë alarmin dhe të ndërmarrin hapa për zgjidhje sistematike të problemeve.

Ndryshe, lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.