Çfarë tha kryetarja e Komisionit Evropian: Mendime largpamëse, por pa datë integrimi

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Fjalimi i fundit (për këtë mandat ose i fundit fare) i kryetares Ursula Von Der Lajen mbi gjendjen në Bashkimin Evropian u prit me vëmendje të veçantë. Disa u përpoqën të hamendësojnë nëse do të kandidojë për mandatin e ardhshëm, por tani për tani pa sukses. Vlerësimet e para të analistëve janë së ajo megjithatë luan “në të sigurt”, gjë që mbase edhe lajmëron një kandidaturë të re.

Në një fjalim që në masë të madhe ishte i drejtuar kah e ardhmja, Fon Der Lajen vazhdimisht kthehej te “thirrja nga e kaluara”, por edhe rikujtonte se Komisioni “realizon në të tashmen”. Mund të mburrej me 90% realizim të asaj që e ka premtuar nga Drejtimet Politike në vitin 2019.

Përkushtimi ndaj “Marrëveshjes së gjelbër evropiane” mbeti në plan të parë me një theks të veçantë se tranzicioni drejt teknologjisë së “energjisë së pastër” do të jetë “fer dhe i drejtë”. Lajmëroi edhe një strategji të re në bujqësi, me sa duket në përpjekje për ta amortizuar pakënaqësinë në rritje të fermerëve që ndjehen të goditur nga ky tranzicion.

Angazhimi për “drejtshmëri” në ekonominë globale ishte kryesisht i drejtuar kah Kina, me vlerësim se ndihma shtetërore kineze e dëmton konkurrencën në tregun evropian, duke lajmëruar edhe procedurë konkrete mbi subvencionet për automjetet elektrike kineze të importuara.

Sa i përket ekonomisë dhe tregut të punës kryetarja e Komisionit veçoi tre sfida kryesore: 1. Mungesa e aftësive në tregun e fuqisë punëtore; 2. Inflacioni; 3. Lehtësimi i kushteve për bërjen e biznesit, posaçërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në mënyrë shumë eksplicite u shpreh se që t’i bëjmë ballë sfidës së parë, i domosdoshëm është migracioni i kualifikuar. Kjo domethënë se Unioni do të përpiqet që të tërheqë sa më shumë punëtorë të kualifikuar nga vende të tjera. Sa i përket sfidës së inflacionit, midis tjerash, lajmëroi edhe replikim të modelit të suksesshëm nëpërmjet të cilit në mënyrë drastike u ulën çmimet e gazit dhe të lëndëve të para kritike, si dhe të hidrogjenit.

Tema e ardhshme e madhe ishte inteligjenca artificiale. Von Der Lajen apeloi që sa më shpejt të miratohet dhe të implementohet rregullativa e propozuar mbi inteligjencën artificiale, duke vënë në dukje se ky është një angazhim për rregullimin e kësaj çështje në botë, me ambicie që BE-ja të bëhet lider në vendosjen e standardeve globale në lidhje me këtë çështje.

Sa u përket çështjeve globale, Von Der Lajen bëri thirrje për vendosmëri të njëjtë si me rastin e  Ukrainës, posaçërisht mbi krizat aktuale në Afrikë. Duke mos e përmendur në mënyrë direkte BRIKS-in, ajo i kritikoi “përpjekjet për kthimin kah të menduarit me blloqe”, duke e theksuar strategjinë e BE-së “Porta Globale”.

Pakti për migracionin – edhe një dosje e rëndësishme, por e papërfunduar e këtij Komisioni, Von Der Lajen e vlerësoi si një “zgjidhje të ekuilibruar”, që përndryshe u kritikua fort nga organizatat që punojnë më migrantët.

U angazhua edhe për pranimin e shumëpritur të Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen.

Qasja ndaj Ukrainës këtë vit ishte më shumë nga aspekti i mbështetjes për rikonstruimin dhe perspektivës për anëtarësim, për dallim nga theksi i vitit të kaluar te solidariteti kundër agresionit. Këtë vit i është dhënë ndihmë prej 12 miliardë eurosh për mbështetje jo ushtarake. Janë lajmëruar edhe 50 miliardë euro ndihma për rikonstruimin e Ukrainës për pesë vitet e ardhshme. Për ndihmën e paarritshme të anëtarëve të tjerë nuk u bë fjalë.

Me Ukrainën filloi edhe deklarata për zgjerimin, të cilit këtë vit, për dallim nga vitet e mëparshme iu kushtua shumë më shumë vëmendje. Duke filluar nga nevoja gjeopolitike që të kompletohet Unioni, kryetarja e KE-së theksoi se së pari duhet patjetër të vendoset “vizioni për zgjerim të suksesshëm”, gjegjësisht të mendohet se si të jetë Unioni i gatshëm për zgjerim”. Në atë vizion nuk u përmend datë konkrete, por nga ana tjetër u theksuan sundimi i së drejtës dhe të drejtat themelore si kusht themelor. Paralelisht me këtë – edhe mundësia që shtetet kandidate të jenë pjesë e Raportit të Unionit për sundimin e të drejtës.

Ndaj dilemës “së pari zgjerim apo së pari thellim”, Fon Der Lajen pati një qasje ndryshe nga ajo e Makronit “së pari reforma, pastaj zgjerim”, dhe u angazhua për zgjerim dhe thellim të njëkohësishëm, duke i lënë të gjitha mundësitë e hapura, përfshirë këtu me ose pa ndryshim të marrëveshjeve të themelimit.

Komisioni do të përgatisë “analiza të politikave para zgjerimit” që t’i përcaktojë pasojat e mundura nga zgjerimi për institucionet dhe buxhetin, duke pasur parasysh edhe paketën e sigurisë. Lajmëroi shkëmbim idesh mbi propozimet “midis liderëve” gjatë presidencës belge – e kjo është në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, në fund të të cilit duhet të mbahen edhe zgjedhjet në Union.

Shkurtimisht – po, zgjerimi është aktualizuar, por tani zhvillohen idetë se si mund të bëhet kjo dhe diskutimi midis shteteve anëtare do të vijojë.

LEXO: Von der Leyen: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës është në BE