Çarje e tokës dhe rrëshqitje dheu, banorët e Likovës të kërcënuar u larguan nga shtëpitë
Në fshatin Likovë në disa pjesë është çarë toka ndërsa ka pasur edhe rrëshqitje të dheut në zonën e quajtur “Uji i Tharrët”. Si rezultat i kësaj, banorët nga zona e rrezikuar, të frikësuar dhe kërcënuar nga ndonjë fatkeqësi e mundshme i kanë braktisur shtëpitë e tyre, ndërsa kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse për stabilizimin e situatës. Nga Komuna e Likovës njoftuan se kanë ndërmarrë masa urgjente me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe minimizimin e rrezikut nga rrëshqitja e mëtejshme e dheut, shkruan Portalb.mk.
Disa banorë të fshatit Likovë ndjehen të rrezikuar nga rrëshqitja e dheut në zonën e quajtur “Uji i tharët”, e cila po rrezikon disa shtëpi dhe bagëtitë e një familjeje.
Ata detyrohen të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse për stabilizimin e situatës.
Biseduam me Agim Shukriun, pronarin e njërës nga shtëpitë e rrezikuara, i cili tha se ndjehen të rrezikuar dhe menjëherë u larguan nga shtëpia, duke marrë me vete edhe bagëtitë.
“Para disa ditësh toka është çarë, dhe menjëherë u larguam nga shtëpia, u frikësuam shumë, menjëherë u larguam dhe shkuam të qëndrojmë te disa familjarët tanë, edhe bagëtitë i larguam për siguri. Fatkeqësisht, ndihemi shumë të rrezikuar, pasi që jemi një mëhalle që është në këtë zonë të rrezikuar. Kemi lajmëruar Komunën e Likovës, dhe për momentin jemi duke pritur përgjigje nga atje që të marrin masa nga ana e qeverisë”, tha Shukriu.
Nga Komuna e Likovës njoftojnë se kanë ndërmarrë një sërë masash urgjente për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për të minimizuar rrezikun nga rrëshqitja e mëtejshme e dheut. Menjëherë pas identifikimit të problemit, është aktivizuar Shtabi i Krizës për të marrë masat e nevojshme.
“Familjet që jetojnë në afërsi të zonës së prekur janë njoftuar për rrezikun dhe janë udhëzuar të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa atyre më afër pikës kritike u është rekomanduar evakuim preventiv. Është dërguar kërkesë për asistencë nga institucionet qendrore. Janë dërguar kërkesa urgjente për mbështetje tek Qendra për Menaxhim me Kriza dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, meqenëse situata kërkon ekspertizë të specializuar dhe mjete që tejkalojnë kapacitetet komunale”, thanë nga Komuna e Likovës.
Nga Komuna e Likovës theksojnë se kanë ftuar ekipet inxhinierike të institucioneve shtetërore si: Instituti i Gjeologjisë, Instituti Seizmologjik (IZIS), Instituti ndërtimor, Qendra për Menaxhim me Kriza, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Rrugët Shtetërore Qeverinë, për të dhënë rekomandimin e tyre.
Komuna informoi se dje ka pranuar raportin e Institutit të Gjeologeve, të cilët rekomandojnë që të bëhet hartifikimi i terrenit që rrëshqet, shpimi që të definohet materiali i dheut, gurit, dhe përpilimi i elaboratit për të definuar llojin dhe karakteristikat që të bëhet sanimi dhe stabilizimi i rrëshqitjes.