Burri dhe gruaja dyshohen për vrasjen e mjekut Aco Trpovski para dy vitesh në Shkup

Një çift bashkëshortësh dyshohet për vrasjen e mjekut 67-vjeçar Aco Trpovski, i cili u gjet i vrarë në parkingun para Poliklinikës “Hekurana” në Shkup para dy vitesh. Trpovski, mjek amë në këtë poliklinikë, më 21 mars 2024 u gjet i pajetë në veturën e tij me plagë të shkaktuara nga thika, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria njoftoi se janë siguruar prova që tregojnë se një person e ka kryer vrasjen, ndërsa bashkëshortja e tij e ka ndihmuar.

“Më 21.03.2024, në një parking në lagjen Autokomandë, i dyshuari 65-vjeçar me dashje ia mori jetën tani të ndjerit Aco Trpovski. Në këtë e ndihmoi e dyshuara 59-vjeçare, duke fshehur mjetet dhe gjurmët e veprës penale. Ajo ishte marrë vesh me viktimën që të takoheshin në vendin e caktuar. Pak pasi kishte hyrë në veturën e tij, mbërriti i dyshuari. Ai hapi derën e automjetit, e nxori viktimën jashtë dhe mes tyre nisi një debat verbal. Në një moment, i dyshuari nxori një thikë dhe i shkaktoi nëntë plagë me thikë në kraharor dhe trup, si pasojë e të cilave viktima ndërroi jetë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, bashkëshortët më pas e vendosën trupin në sediljen e përparme të veturës. I dyshuari e drejtoi automjetin deri te parkingu i Poliklinikës “Hekurana”, ku trupin e vendosi në ulësen e shoferit. E dyshuara pastroi gjurmët nga vetura, pas së cilës të dy u larguan nga vendi i ngjarjes.

Sipas njoftimeve, mjeku i vrarë u gjet nga djemtë e tij, të cilët kishin nisur ta kërkonin pasi nuk ishte kthyer në shtëpi nga puna.

Prokurori publik i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit.