Prioritetet irlandeze të BE-së iu prezantuan Shkupit, Uard: Rajoni duhet të integrohet sa më shpejtë
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot u prezantuan prioritetet e Presidencës Irlandeze të Bashkimit Evropian, ku për zgjerimin u tha pak, ndërsa Maqedonia e Veriut përmendet në mënyrë simbolike, raporton Portalb.mk.
Ambasadori i Irlandës në vend, Brenan Uard tha se do të punojnë drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi dhe do të përpiqen të arrijnë përparim thelbësor në negociatat me Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.
“Sigurisht, ne e mbështesim fuqishëm edhe Maqedoninë e Veriut dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe do të punojmë së bashku me partnerët në Union dhe me autoritetet këtu në Shkup për të parë se çfarë përparimi mund të arrihet në këtë drejtim”, tha Uard.
Zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov, ka theksuar se është inkurajues fakti që integrimi i rajonit mbetet lart në agjendën e BE-së.
“Qeveria jonë mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj agjendës evropiane, qasja jonë është e qartë, integrimi evropian nuk është një përcaktim deklarativ, por një proces që kërkon rezultate konkrete, përgjegjësi institucionale dhe zbatim të vazhdueshëm të obligimeve të marra”, tha Trajkov.
Kujtojmë se dje në Bruksel janë mbajtur katër konferenca ndërqeveritare në drejtim të eurointegrimite me Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë.
- LEXO: Presidenca irlandeze dhe zgjerimi i BE-së: Maqedonia e Veriut edhe këtë herë pa prioritet të veçantë
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Pa ndryshime kushtetuese nuk ka proces formal: Çfarë mesazhesh solli Marta Kos për rrugën eurointegruese të RMV-së?
- LEXO: Ambasadori francez Le Rigoleur: Zbatimi i kompromisit dhe reformat reale janë kyçe për përparimin drejt BE-së
- LEXO: Maqedonia e Veriut, 22 vite në “portën” e BE-së, ndryshimet kushtetuese pengesa
- LEXO: Kos në Shkup: Janë bërë reforma, por përsëri vendi duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese dhe të miratojë Kodin Zgjedhor