Burgu i Idrizovës ka borxh mbi 1 milion euro

Të harruar nga institucionet, roje minimale, borxhi rritet. Me të gjitha këto përballet, drejtori i ri i burgut të Idrizovës, Zoran Jovanovski, institucioni i të cilit ka hyrë në fokus të opinionit me shpalljen e gjendjes së krizës, transmeton Portalb.mk.

Ai në një intervistë për REL në gjuhën maqedonase thotë se gjendja e krizës është shpallur më 6 qershor me kërkesë të institucionit, pasi një ndër problemet më të mëdha që ka burgu është mungesa policëve të burgut.

“Sipas standardeve të cilat janë të shkruara, numri i policëve të burgut dhe numri i të burgosurve dhe objekteve që sigurohen u ul nën minimumin për zbatimin e punës normale”, thotë Jovanovski.

Sipas tij, kjo nënkupton që burgu ka rënë nën minimumin e sigurisë, por me shpalljen e krizës për ndihmë ka ardhur edhe një pjesë e policisë dhe ushtrisë.

Në lidhje me borxhin, drejtori thotë se kanë më së shumti borxhe ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, MPB-së dhe për rrymë dhe ujë.

“Në nivel ditor ndryshohet dhe rritet. Madje deri në mbi një milion euro”, thotë Jovanovski.