Brukseli për të disatën herë kërkon që Qeveria të heqë duart nga gjyqësori dhe të hetohen rastet korruptive
Brukseli edhe njëherë ka përsëritur kërkesën për largimin e “duarve” të ekzekutivit nga pushteti gjyqësorë. Komisioni Evropian në raportin e progresit të publikuar me 30 tetor, tha se njoftimet e qeverisë së re për planet për ‘shpërbërjen’ e Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorisë janë shqetësim serioz, pasi veprime të tilla do të cenonin pavarësinë e gjyqësorit. Sa i përket fushës së korrupsionit, theksohet se ai është i përhapur në shumë fusha dhe kërkohen hetime proaktive në kohë, profesionale dhe transparente. BE-ja edhe në këtë raport, kërkoi miratimin e Kodit të ri Penal, të cilin Ministria e Drejtësisë, njoftoi me 31 tetor se tashmë e ka hartuar dhe dorëzuar për vlerësim në Komisionin Evropian, raporton Portalb.mk.
Këto kritika ishin adresuar edhe në raportin e vitit paraprak, prandaj rekomandimet për përmirësim të situatës mbeten të njëjta edhe këtë vit. Sistemi gjyqësor vlerësohet si i përgatitur në mënyrë të moderuar dhe madje me përparim shumë të kufizuar
Funksionimi i gjyqësorit
“Sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut është në mes të një niveli të caktuar dhe të moderuar të përgatitjes dhe përparimit të kufizuar. Vendi miratoi një Strategji të re për Reformën në Drejtësi (2024-2028) dhe një udhërrëfyes në kapitullin 23 dhe ka filluar të zbatojë rekomandimet e misionit vlerësues nga kolegët 2023 në Këshillin Gjyqësor. Njoftimet e qeverisë së re për planet për ‘shpërbërjen’ e Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorisë janë një shqetësim serioz, pasi veprime të tilla do të cenonin pavarësinë e gjyqësorit. Rritja e deficitit të burimeve njerëzore në gjyqësor ngre shqetësime për ndikimin në cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë”, thuhet në raport.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe për këtë arsye janë kryesisht të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:
- të miratojë ligjit të ri për procedurën civile, në përputhje me standardet evropiane dhe fillimin e zbatimit të strategjisë së re për reformën në drejtësi;
- të forcojë Këshillin Gjyqësor duke rishikuar kuadrin legjislativ dhe funksionimin e tij të përgjithshëm për të rritur transparencën dhe pavarësinë e tij, në përputhje me rekomandimet e misionit vlerësues të kolegëve gjatë vitit 2023, dhe të përshpejtojë zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë;
- të sigurojë që sistemi i automatizuar i informacionit për menaxhimin e çështjeve gjyqësore (AKMIS) është plotësisht funksional dhe i pajtueshëm me nivelin e kompleksitetit të çështjeve gjyqësore dhe metodën për vlerësimin e gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave
Lufta kundër korrupsionit
Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze. Qeveria aktuale është shprehur se lufta kundër korrupsionit është prioritet.
“Korniza institucionale për luftën kundër korrupsionit është e vendosur dhe është e kënaqshme për sa i përket masave parandaluese. Megjithatë, nevojitet përmirësim në zbatimin e ligjit. Përbërja e re e sapoformuar e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) filloi mandatin më 8 shkurt 2024. Duhet të veprojë me nivelin më të lartë të profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë. Komisioni duhet të vazhdojë të ofrojë udhëzime proaktive për politikat për të parandaluar korrupsionin dhe të punojë në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, thuhet në raport.
Rekomandimet e KSHPK-së, thuhet në raport, duhet të ndiqen në mënyrë efektive.
“Për të përmirësuar performancën e KSHPK-së, Prokuroria Publike, qendrat hetimore dhe njësitë e zbatimit të ligjit duhet të marrin burime shtesë njerëzore dhe mbështetje financiare. Dokumentet strategjike janë miratuar dhe kuadri ligjor për luftën kundër korrupsionit është vendosur, por duhet të përmirësohet, si në aspektin e masave parandaluese ashtu edhe të zbatimit të ligjit”, theksohet në raport.
Ndryshimet në Kodin Penal të shtatorit 2023, vazhdojnë të jenë halë në sy për Brukselin. Raporti përsërit se të njëjtat dobësuan kuadrin ligjor, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në çështjet e nivelit të lartë.
“Shumë raste në vazhdim u pushuan ose për shkak të skadimit të afatit të vjetërsimit ose për shkak se nuk ekzistojnë më vepra të veçanta, si keqpërdorim i detyrës në prokurimet publike”, nënvizon Raporti i progresit.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar edhe në këtë fushë nuk janë adresuar plotësisht dhe për këtë arsye mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:
- të miratojë një Kod të ri Penal në përputhje me acquisin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Përmirësimi i historikut të tij në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë (Kodi i ri Penal u hartua një ditë pas publikimit të raportit dhe është dorëzuar për mendim në KE, prandaj ky rekomandim mund të konsiderohet se është në rrugë të zbatimit)
- të bëhen hetime proaktive në kohë, profesionale dhe transparente, ndjekje penale, dënime përfundimtare dhe rikuperim, duke përfshirë konfiskimin e aseteve kriminale, konfiskimin e bazuar në vlerë, konfiskimin e zgjatur dhe konfiskimin e palës së tretë;
- përmirësimi i zbatimit të strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave si dhe rekomandimet e GRECO-s, veçanërisht për sistemin e sanksioneve për shkeljen e rregullave të konfliktit të interesit, integritetit dhe kundër korrupsionit;
- të ndahen burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, duke përfshirë ekspertë financiarë, për Prokurorinë Themelor Publike për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin për të siguruar llogaridhënie efektive në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë; dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për të përmirësuar verifikimin e deklaratave të pasurisë dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatës zgjedhore.
Lufta kundër krimit të organizuar
Maqedonia e Veriut ka nivel të moderuar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar dhe Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë përmbushur vetëm pjesërisht dhe mbeten të vlefshme.
Vitin e ardhshëm vendi duhet në veçanti:
- të përmirësojë historikun e tij në hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet në krimin e organizuar, krimet financiare dhe rastet e pastrimit të parave, me fokus në rikuperimin e aseteve dhe konfiskimin e produkteve të krimit;
- të forcojë kapacitetin njerëzor dhe financiar të agjencive të zbatimit të ligjit që hetojnë krimet e organizuara dhe të rënda, krimet financiare dhe pastrimin e parave, si dhe të Agjencisë së Rikuperimit të Aseteve (ARA) dhe Agjencisë për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara;
- harmonizojë legjislacionin e tij për pastrimin e parave, rikuperimin e aseteve, armët, drogat narkotike dhe substancat psikotrope me acquis të BE-së.
Kujtojmë se në një raport të qershorit të këtij viti, Komisioni Evropian vlerësoi se pavarësia e gjyqësorit dhe kapaciteti institucional për ta mbrojtur atë nga ndikimi i padrejtë mbeten një shqetësim serioz në Maqedoninë e Veriut. Edhe në këtë raport, u tha ndryshimet e fundit në Kodin Penal dobësuan kuadrin ligjor, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në rastet e korrupsionit të niveleve të larta.